Para se Dhomat e Specializuara në Hagë t'i shqiptonin 25 vjet burgim për krime lufte, Hashim Thaçi ishte dënuar edhe një herë tjetër në mungesë: në korrik 1997, me 10 vjet burgim, nga një gjykatë që vepronte nën autoritetin e Beogradit.

Emri i Hashim Thaçit është shkruar dy herë në një vendim dënimi, në dy epoka që nuk kanë asgjë të përbashkët. Herën e parë ai as që ishte në sallë: në korrik të vitit 1997, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, që atëherë vepronte nën autoritetin e Beogradit, e dënoi në mungesë me 10 vjet burgim. Herën e dytë, më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë e dënoi me 25 vjet burgim për krime lufte, duke e shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Dënimi i vitit 1997 lidhej me veprimtarinë e tij në organizimin e rezistencës së armatosur. Autoritetet serbe e akuzonin për veprimtari që i cilësonin terroriste dhe për sulme kundër policisë e ushtrisë serbe, sulme që Beogradi ia atribuonte Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për Serbinë, UÇK-ja ishte organizatë terroriste, ndërsa për shqiptarët e Kosovës ajo përfaqësonte lëvizjen çlirimtare kundër represionit dhe sundimit serb.
Procesi u zhvillua pa praninë e tij, në një periudhë kur Serbia i ndiqte dhe i dënonte veprimtarët shqiptarë të angazhuar për çlirimin e Kosovës. I njohur gjatë luftës me nofkën "Gjarpri", Thaçi vepronte ilegalisht dhe lëvizte mes Kosovës e vendeve të tjera, duke iu shmangur arrestimit nga forcat serbe. Dënimin e shqiptuar nga gjykata e kontrolluar prej autoriteteve serbe ai nuk e vuajti kurrë.
Dy vjet më vonë, ai doli në skenën ndërkombëtare si drejtues politik i UÇK-së dhe udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Pas luftës themeloi Partinë Demokratike të Kosovës, shërbeu si kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, dhe më vonë u zgjodh president. Në shkurt të vitit 2008, si kryeministër, ishte ai që lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Rruga drejt Hagës nisi në nëntor të vitit 2020, kur Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara dhe u transferua në qendrën e paraburgimit.
Kështu, brenda pak më shumë se tri dekadash, i njëjti person është përballur me dy dënime në rrethana krejtësisht të kundërta: së pari nga sistemi gjyqësor i Serbisë së Sllobodan Millosheviçit në vitet '90, për veprimtarinë kundër pushtetit serb, dhe pothuajse 30 vjet më vonë nga Dhomat e Specializuara, për krimet e pretenduara gjatë luftës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

