Legjitimiteti i konstituimit të Kuvendit dhe i votimit të Qeverisë ka përfunduar në tavolinën e gjyqtarëve kushtetues. Partia Demokratike flet për shkelje procedurale, Vetëvendosje i quan proceset të përfunduara dhe legjitime.

Beteja politike në Kosovë nuk zhvillohet më vetëm në sallën e Kuvendit. Ajo është zhvendosur zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese, ku dy ankesa të dorëzuara nga Partia Demokratike kontestojnë ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Opozita kërkon rrëzimin e këtyre proceseve përmes rrugës ligjore, duke pretenduar shkelje procedurale.
Në anën tjetër qëndron Vetëvendosje, e cila i konsideron këto procese plotësisht të përfunduara dhe legjitime. Mes dy qëndrimeve të kundërta, fati i institucioneve të reja të vendit ndodhet tani në duart e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, institucioni më i lartë juridik që do të vendosë për ankesat. Afati brenda të cilit pritet vendimi nuk është bërë i ditur.
Ndërkohë, njohës të fushës kërkojnë që partitë politike të reflektojnë dhe të ndalin lojërat me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke vendosur interesin e shtetit mbi atë partiak.
"Duam të besojmë se Gjykata Kushtetuese sa më shpejt që është e mundur do ta marrë një vendim i cili në njëfarë mënyre do ta kthejë në binarë politikën kosovare, e politika kosovare në këtë rast Kuvendi i Kosovës, partitë në Kuvend ta kuptojnë se më i rëndësishëm është interesi strategjik i Republikës së Kosovës me pasur institucione funksionale sesa lojëra politike ditore me qëllim të arritjes ku tanimë është bërë sport shkelja e Kushtetutës, e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese", tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Bllokada e brendshme po lexohet edhe përmes zhvillimeve jashtë kufijve. Vendimi i 16 shtatorit i Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së, sipas analistëve, duhej të shërbente si shtysë e fortë që taborët politikë t'i zbusin qëndrimet dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët përballë sfidave kombëtare.
"Është dashur që këto të mendohen para se të ndodhë 16 shtatori, është dashur që të kemi unitet, të kemi një bashkëqeverisje duke e ditur në çfarë situate po kalon Kosova, është dashur që të gjithë të lëshojnë pe nga pak, edhe fituesit edhe humbësit, të bëhet një qeveri ndoshta tranzitore ndoshta dyvjeçare dhe përmes institucioneve të bëjmë një reagim zyrtar", tha analisti Sadik Zeqiri.
Deri në shpalljen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, skena politike në vend mbetet e pezulluar dhe e paqartë, me partitë të barrikaduara pas qëndrimeve të tyre të kundërta.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

