Policia në Durrës zbuloi një lokal të përshtatur për lojëra fati të paligjshme. Në pranga përfundoi organizatori, ndërsa pronari u procedua penalisht.

Pas një lokali të zakonshëm në lagjen nr. 14 të Durrësit fshihej, sipas policisë, një pikë lojërash fati e paligjshme, me tavolina pokeri dhe telefona celularë të kthyer në aparate loje. Zbulimi i saj ka çuar në një arrestim dhe në procedimin penal të pronarit.
Operacioni, i koduar "Fati i lojërave", u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Durrës. Sipas policisë, bazuar edhe në informacione të siguruara në rrugë operative, u ushtruan kontrolle në disa lokale dhe ambiente që dyshohej se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit në lokalin e lagjes nr. 14, uniformat blu thanë se konstatuan tavolina pokeri dhe faqe të ngjashme me ato të basteve sportive në telefonat celularë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tavolina pokeri, çipsa dhe 15 aparate celularë.
Në flagrancë u arrestua shtetasi F. T., 35 vjeç, banues në Durrës, i cili sipas policisë kishte marrë me qira lokalin, pa kontratë, për të zhvilluar veprimtarinë e paligjshme. I procesuar penalisht mbetet edhe M. M., 24 vjeç, pronari i lokalit, për veprën penale "Vënia në dispozicion e lokalit për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit" — sipas policisë, ai ia kishte dhënë ambientin qiramarrësit pa kontratë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

