Një sherr për motive të dobëta në lagjen nr. 8 të Durrësit përfundoi me një kallashnikov të drejtuar ndaj një 69-vjeçari. Policia thotë se ndërhyrja e shpejtë e saj ndali përshkallëzimin e konfliktit.

Një kallashnikov pa leje dhe një krehër me municion luftarak janë sekuestruar në banesën e një 36-vjeçari në Durrës, i cili dyshohet se kërcënoi me armë një bashkëqytetar 69-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas Policisë së Shtetit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës morën informacion për një konflikt në lagjen nr. 8 dhe nisën menjëherë punën për të zbardhur rrethanat dhe për të parandaluar përshkallëzimin e tij. Në kuadër të operacionit të koduar "Relatives", u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi me inicialet H. Ll., 36 vjeç, banues në Durrës.
Policia dyshon se ai u konfliktua me shtetasin E. B., 69 vjeç, gjithashtu banues në qytet, dhe më pas e kanosi atë me një armë zjarri kallashnikov që e mbante pa leje. Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, efektivët gjetën armën që besohet se u përdor për kanosjen, si edhe një krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan.
Sipas policisë, i arrestuari ka precedentë të theksuar penalë për armëmbajtje pa leje dhe për krime kundër personit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila do të vendosë për veprimet e mëtejshme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

