Qeveria e Kosovës ka hedhur në tryezë para, jo vetëm fjalë, për ta mbajtur ushtrinë amerikane përgjithmonë në Bondsteel, sipas senatorit Dick Durbin. Ai thotë se propozimi i Kurtit duhet marrë seriozisht, ndërsa senatorja Jeanne Shaheen shpreson në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Qeveria e Kosovës i ka propozuar Uashingtonit një marrëveshje financiare që kampi Bondsteel, pranë Ferizajt, të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, ka treguar senatori demokrat amerikan Dick Durbin. Sipas tij, propozimi i kryeministrit Albin Kurti "duhet të shqyrtohet seriozisht", ndërsa marrëveshja nuk do të përbënte ndonjë "sakrificë të madhe parash" për Shtetet e Bashkuara.
Durbin foli në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), së bashku me senatoren demokrate Jeanne Shaheen, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Dy senatorët erdhën në Prishtinë pas ndalesave në Sarajevë dhe Tiranë, në kuadër të një vizite në Ballkanin Perëndimor, ku diskutuan për sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e SHBA-së me vendet e rajonit. Në Kosovë ata u takuan me presidenten Justina Shiroka Pula, me kryeministrin Kurti dhe me përfaqësues të Listës Serbe.
Harta në zyrën e kryeministrit
Durbin rrëfeu se më 12 tetor, gjatë takimit në Prishtinë, Kurti i kishte shoqëruar senatorët në zyrën e tij dhe u kishte treguar një hartë të Kosovës, për t'ua paraqitur rreziqet e sigurisë në afërsi të saj. Sipas senatorit, në atë takim u diskutuan pikat e cenueshme të sigurisë së vendit. "Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë", tha ai.
Detajet e ofertës nuk janë bërë publike: as Pentagoni, as Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur ende për pyetjet rreth përmbajtjes së saj. Kampi Bondsteel është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan, dhe Kurti e ka përsëritur disa herë kërkesën që ai të bëhet i përhershëm, duke e lidhur me paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Kosova nuk është i vetmi vend që ofron stimuj për praninë ushtarake amerikane. Në fund të shtatorit, Polonia i ofroi SHBA-së stimuj financiarë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake, përfshirë 15.000 dollarë në vit për secilin ushtar amerikan të stacionuar në vend dhe mbulimin e kostove të infrastrukturës.
NATO dhe roli i KFOR-it
Kurti u kishte kërkuar senatorëve edhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ata shprehën mbështetje për partneritetin e sigurisë dhe për aspiratat euroatlantike të vendit. E pyetur nëse Kosova mund të bëhet anëtare e Aleancës, Shaheen u përgjigj: "Unë shpresoj që po. Ajo që është me rëndësi për NATO-n, për gjithë sigurinë e Evropës dhe pastaj të këtij rajoni, një prej gjërave që u përmend nga kryeministri është siguria e kufijve të Kosovës dhe mendoj që NATO-ja ka pasur shumë rëndësi në këtë drejtim". Ajo veçoi rolin e misionit të KFOR-it në garantimin e sigurisë, përfshirë mbrojtjen e kufijve.
Dialogu i pezulluar dhe karrigia bosh e ambasadorit
Një temë tjetër ishte Dialogu Strategjik, të cilin SHBA-ja e pezulloi më 12 shtator 2025. Në atë kohë, Uashingtoni shprehu shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe për kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese. Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi në korrik të këtij viti se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.
Shaheen tha se do ta mirëpriste rifillimin e dialogut, por përmendi si sfida ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit. Ajo theksoi rëndësinë e emërimit të një ambasadori amerikan në Prishtinë dhe tha se senatorët kanë ushtruar trysni ndaj administratës që të emërojë më shumë ambasadorë. Durbin shkoi më tej, duke vlerësuar se mungesa e ambasadorëve nuk e paraqet SHBA-në në mënyrën e duhur.
"Partnerë të shkëlqyeshëm"
Të dy senatorët deklaruan se Uashingtoni synon vazhdimin dhe forcimin e partneritetit me Kosovën. Shaheen kujtoi vizitën e saj të parë, në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë: "Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë qenë partnerë të shkëlqyeshëm. Vizita ime e parë ka qenë këtu në përvjetorin e dytë të pavarësisë suaj. Dhe kudo që kemi shkuar, kemi parë flamuj amerikanë duke u valëvitur dhe sa e frymëzuar kam qenë kur e shihja atë për këtë lidhje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës". Ajo mirëpriti formimin e institucioneve të reja dhe shtoi: "Duam që ky partneritet të vazhdojë tutje".
Për Durbin kjo ishte vizita e parë në Kosovë. "Senatorja Shaheen ka qenë udhëheqëse në Senat në këtë drejtim dhe kam punuar me të, por tashmë po e shoh drejtpërdrejt vetë gjithë zhvillimin dhe ndryshimet në një kohë kaq të shkurtër. Është dëshmi që partneriteti është i mirë dhe i fortë", tha ai.
Për presidenten e re, Durbin tha se ajo ka përpara detyrën e vështirë "për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara". "Procesi që ajo përballoi para se të merrej vendimi përfundimtar kërkoi vendosmëri dhe guxim. Ajo ka një detyrë të madhe për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara. Por mendoj se forca që tregoi gjatë këtij procesi do t’i japë asaj më shumë besueshmëri në Kosovë dhe në mbarë botën", shtoi ai.
Serbia dhe shqetësimet e Listës Serbe
Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Shaheen tha se përparimi kërkon përkushtimin e të dy vendeve dhe se ka zhvilluar takime si me Kurtin, ashtu edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Durbin ishte më pak optimist për afatin e afërt: "Duam të shohim përmirësime, por që në këto momente, aq të afërta me zgjedhjet, nuk është se shoh ndonjë potencial të madh".
Në Ambasadën amerikane në Prishtinë, senatorët pritën përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Sipas komunikatës së partisë, kryetari Zlatan Elek dhe shefi i grupit parlamentar, Igor Simiq, ngritën shqetësime për të drejtat dhe sigurinë e serbëve, për moszbatimin e marrëveshjeve, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për përfaqësimin në institucione.
Gjykata Speciale: "nuk duhet të komentojmë"
Senatorët u shmangën nga komentet konkrete për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat Kuvendi i Kosovës i miratoi më 8 tetor. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë veprim, duke e lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Shaheen tha se nuk mund t'i komentojë amendamentet dhe kujtoi se Gjykata Speciale është krijuar nga vetë Kuvendi i Kosovës. "Besoj që është me rëndësi të shohim se si ky proces do të vazhdojë tutje dhe, për aq sa di unë, mund të ketë edhe procedurë apeli të këtij aktgjykimi. Sigurisht që edhe procedura e apelit do të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe t'i japë rezultatet që populli i Kosovës arrin ta kuptojë", tha ajo.
Durbin iu bashkua: "Pajtohem me senatoren Shaheen, se nuk duhet të komentojmë çështje që janë para gjykatës dhe shpresoj që kjo të zgjidhet përmes juridiksionit të krijuar me ligj, në mënyrë paqësore në të gjitha nivelet".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

