Një javë monitorimi intensiv në akset e qarkut të Gjirokastrës u mbyll me 1242 masa administrative, 10 leje drejtimi të pezulluara dhe 6 drejtues mjetesh të dërguar para drejtësisë.

Fluksi veror i automjeteve në rrugët e Gjirokastrës u përball këtë javë me një kontroll të shtuar. Policia Rrugore e qarkut vuri në punë dronë, radarë dhe makina inteligjente në të gjitha akset, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë periudhës 10-16 gusht 2026, gjashtë drejtues mjetesh u proceduan penalisht për veprat penale "Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor". Ndërkohë, u pezulluan 10 leje drejtimi.
Bilanci i masave administrative arriti në 1242 gjithsej, të ndara sipas llojit të shkeljes. Peshën më të madhe e mbajti qarkullimi me shpejtësi tej normave të lejuara, me 424 masa, i ndjekur nga 329 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar dhe 320 masa për parakalime të gabuara. Për shkeljet e tjera janë regjistruar 149 masa. Në pjesën tjetër hyjnë 10 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 5 për mungesën e kaskës mbrojtëse, 3 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Policia Rrugore e Gjirokastrës theksoi se fokusi i punës mbetet evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve që ngasin nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, si dhe atyre që kryejnë parakalime të gabuara dhe tejkalojnë limitin e shpejtësisë — shkelje që renditen ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjetet bashkëkohore logjistike. Policia u bëri thirrje shoferëve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe ftoi qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

