Anija Alfa Watan u zhduk nën ujërat e Detit të Zi pas një sulmi me dronë detarë dhe ajrorë, ndërsa Bullgaria kërkon ekuipazhin e saj. Kryeministri Rumen Radev e quan goditjen një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

Një anije tregtare u fundos dhe një tjetër u përpi nga flakët në Detin e Zi, rreth 70 milje detare (130 kilometra) larg bregut bullgar, pasi u goditën nga dronë brenda zonës ekonomike ekskluzive të Bullgarisë. Kryeministri bullgar Rumen Radev tha se sulmi ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit (00:00 GMT) dhe u krye me dronë detarë dhe ajrorë.
Më e rënda ishte goditja ndaj Alfa Watan, anije me flamur të Togos. Ajo pësoi dëmtime kritike strukturore dhe u fundos në vendngjarje. Për fatin e ekuipazhit të saj nuk kishte asnjë lajm, tha Radev, ndërsa autoritetet bullgare nisën një operacion të madh kërkimi. Kryeministri nuk sqaroi sa persona rezultojnë të zhdukur.
Anija e dytë, Able, me flamur të Palaut, mori flakë pas sulmit. Një traget bullgar dhe një skaf i shpejtë i marinës ushtarake evakuuan të 18 anëtarët e ekuipazhit. Dy marinarë u plagosën rëndë dhe u transportuan me ajër në një spital në qytetin portual të Varnës, sipas Radevit.
Dy anijet lundronin në drejtime të kundërta: Able raportohet se transportonte grurë dhe po lëvizte drejt jugut, ndërsa Alfa Watan po shkonte drejt veriut. Ngarkesa e kësaj të fundit nuk dihet, tha Radev, duke shtuar se autoritetet po monitorojnë për rrjedhje të mundshme nafte dhe shenja të tjera ndotjeje mjedisore.
Pas një mbledhjeje emergjente të martën, kryeministri bullgar e cilësoi sulmin "absolutisht të papranueshëm". "Ky është një sulm i papranueshëm në zonën ekonomike ekskluzive të Bullgarisë. Është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe e së drejtës detare", deklaroi ai.
Radev paralajmëroi edhe për pasojat ekonomike dhe gjeopolitike. "Ajo që po ndodh po e çrregullon rëndë transportin detar në Detin e Zi, duke i rritur edhe më shumë kostot e sigurimit dhe duke e bërë lundrimin jashtëzakonisht të vështirë", tha ai. Sipas tij, lufta po zgjerohet gjeografikisht dhe po rrit rrezikun e një konflikti global.
Prejardhja e dronëve nuk u përcaktua menjëherë. Megjithatë, goditja e dyfishtë erdhi vetëm një ditë pasi një tjetër anije mori flakë dhe u fundos pranë brigjeve të Rumanisë, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbetet i zhdukur. Ukraina tha se ai sulm ishte kryer me dronë nga Rusia. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përshkroi atë si "një goditje e tmerrshme nga dy dronë rusë mbi një anije civile" në ujëra neutrale.
Transporti detar në Detin e Zi është goditur rëndë nga lufta Rusi-Ukrainë gjatë muajve të fundit, me sulme me dronë që po shtrihen gjithnjë e më tej. Reagimet ndërkombëtare nisën menjëherë: kryeministri hungarez Peter Magyar deklaroi se Budapesti "qëndron në solidaritet të plotë me Bullgarinë".
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

