Një shtëllungë zjarri dhe tymi të zi u ngrit mbi Urën e Veriut në Kiev, me makina ende në lëvizje, pikërisht kur kancelari gjerman Friedrich Merz ishte në kryeqytetin ukrainas për të shprehur mbështetjen ndaj Zelenskyt.

Një dron rus u përplas të dielën në Urën e Veriut në Kiev, në orët kur kancelari gjerman Friedrich Merz ndodhej në kryeqytetin ukrainas në një vizitë mbështetjeje për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Pamjet video të çastit të goditjes tregojnë një shtëllungë të madhe zjarri dhe tymi të zi që ngrihet mbi urë, ndërsa automjetet ende vazhdonin të kalonin mbi të. Deri tani nuk ka raportime për viktima.
Ura e Veriut u godit për herë të dytë brenda dy ditësh. Sulmi vjen në kuadër të një fushate që Rusia po e përshkallëzon kundër kryeqytetit ukrainas.
Merz mbërriti në Kiev bashkë me ministren gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë, Katarina Reiche. Vizita u zhvillua pavarësisht se Rusia kishte paralajmëruar të shtunën se vizitorët dhe personalitetet e huaja në kryeqytetin ukrainas nuk janë të sigurt, në mes të valës së sulmeve ruse.
Kancelari gjerman e shpjegoi vetë arsyen e udhëtimit në një postim në X të shtunën. "Ukraina po përballet me javë vendimtare përpara", shkroi Merz. "Prandaj sot kam udhëtuar në Kiev me mesazhin: Mund të mbështeteni tek ne."
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

