Policia Rrugore e Gjirokastrës ka vënë nën vëzhgim akset e qarkut me dronë dhe radarë gjatë fluksit veror, duke përfunduar në gjyq penal 6 drejtues mjetesh dhe mijëra gjoba në vetëm dhjetë ditë.

Dronë në ajër, radarë dhe automjete inteligjente në asfalt: Policia Rrugore e Gjirokastrës ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore të qarkut, ndërsa trafiku është shtuar me ardhjen e sezonit veror.
Sipas Policisë së Shtetit, në periudhën 1–10 gusht 2026 janë proceduar penalisht 6 drejtues mjetesh për veprat penale "Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", ndërsa një drejtuesi i është pezulluar leja e drejtimit.
Gjatë të njëjtës periudhë, policia raporton se janë vendosur gjithsej 1903 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Peshën më të madhe e mbajnë tejkalimet e shpejtësisë, me 693 masa, dhe parakalimet e gabuara, me 603 masa. Vijojnë 409 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar dhe 176 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Në listën e gjobave hyjnë edhe 10 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 7 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, 3 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit dhe 2 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Policia sqaron se fokusi i punës mbetet evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, që kryejnë parakalime të gabuara dhe që kalojnë limitin e shpejtësisë — shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Kontrollet, sipas njoftimit, do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale. "Policia Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore", thuhet në njoftim.
Policia u bën thirrje edhe qytetarëve: "Ftojmë qytetarët që të denoncojnë, në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor."
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

