Komuna e Drenasit shleu faturën e energjisë prej 7 mijë e 77 eurove e 90 centëve për stacionin e pompave në Qikatovë të Vjetër, një objekt që sipas kryetarit Ramiz Lladrovci ka mbushur vetëm basenin e Kamenicës dhe nuk ka furnizuar asnjë fshat.

Një stacion pompimi që, sipas vetë kryetarit të komunës, nuk ka dërguar ujë te qytetarët, ka prodhuar një faturë rryme prej 7 mijë e 77 eurove e 90 centëve. Komuna e Drenasit e ka paguar atë faturë për stacionin e pompave në Qikatovë të Vjetër, të cilën nuk e kishte shlyer më parë.
Pagesa erdhi më 10 shtator 2026, një ditë pasi u bënë publike pretendimet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Prishtina" se Komuna e Drenasit nuk e kishte paguar faturën. Një ditë më parë, më 9 shtator, komuna mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për mungesën e furnizimit me ujë në qytet.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e cilësoi faturën si "çështje minore" përballë problemit të mungesës së ujit në Drenas, duke theksuar se si komunë kanë investuar miliona euro për ujësjellësin, ndërsa ujë nuk kanë. Sipas tij, fatura është dashur të regjistrohej në emër të KRU "Prishtina".
"Komuna ka bërë shumë investime për pronën, për objektin, për pompat dhe instalimet e tjera, për aftësimin e stacionit… Ne kemi investuar dhe ia kemi dhënë KRU "Prishtinës" këtë stacion për qëllimin që është ndërtuar, pompimin e ujit dhe furnizimin me ujë për disa fshatra të komunës tonë", ka thënë Lladrovci.
Ai ka shpjeguar se njehsori ishte regjistruar në adresë të gabuar. "Ne kemi pranuar ta paguajmë edhe një faturë nga viti 2019, për stacionin e pompimit, njehsor i cili ishte regjistruar si orë e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës e jo në adresë të Shërbimeve Publike. Fatura është dashur të regjistrohej në emër të KRU "Prishtina", megjithatë, fatura nuk ka arritur e as nuk është dorëzuar te personat kompetentë", tha ai.
Në faturën e energjisë elektrike të stacionit të pompimit në Qikatovë të Vjetër shihet se njehsori ka nisur ta regjistrojë shpenzimin e energjisë që nga 1 gushti i vitit 2019. Energjia elektrike në këtë stacion, sipas Lladrovcit, është shkyçur më 28 janar 2026.
Kryetari ka lidhur vonesat me një çështje gjyqësore. Rrjeti i ujësjellësit dhe stacioni i pompave në Qikatovë të Vjetër, sipas tij, nuk ishte përfunduar për një kohë të gjatë "për shkak të procesit gjyqësor për keqpërdorimet e kryera para se unë të emërohesha kryetar dhe kishte zgjatur rreth tre vjet".
Lladrovci pohon se stacioni i ka shërbyer vetëm basenit të Kamenicës, ndërsa fshatrat që duhej të furnizoheshin kanë mbetur pa ujë dhe as rrjeti i gypave nuk është lëshuar. "Rrjeti i furnizimit me energji ka funksionuar edhe pse njehsori i energjisë ka qenë në emër të Komunës, por uji nuk është lëshuar as për mbushjen e basenit përveç tre-katër herë kur e kemi testuar basenin", ka thënë ai.
Për detyrimin financiar, qëndrimi i tij mbetet i prerë: "Komuna, në asnjë rast e asnjë rrethanë, nuk ka detyrim të paguajë faturat e KRU "Prishtina", mirëkuptimi ynë, mirësjellja dhe gatishmëria për të marrë përsipër pasojat e një subjekti tjetër ekonomik ishte interesi qytetar për ujë dhe ka bërë që ta ndihmojmë, përkrahim e ofrojmë bashkëpunim. Fatura është paguar sot [10.09.2026] dhe besoj se komuna nuk merr përsipër detyrimet e KRU "Prishtina" ndërsa qytetarët të mos kenë ujë, me muaj."
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

