Studentët e Universitetit të Prishtinës dalin sot në një marsh paqësor kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, në ditën e gjashtë radhazi të kundërshtimeve në Kosovë.

Rrugët e Prishtinës presin sot një marsh studentor. Nga ora 11:30, studentët e Universitetit të Prishtinës, bashkë me studentë të universiteteve të tjera, nisen nga Qendra e Studentëve drejt sheshit “Skënderbeu”, në një ecje paqësore kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Është hera e parë që studentët marshojnë pas 16 shtatorit.
Sipas thirrjes së tyre, marshi synon të shprehë unitet dhe kërkesën për drejtësi pas vendimit të gjykatës në Hagë.
Kjo është dita e gjashtë radhazi që në Kosovë kundërshtohet verdikti. Reagimet janë shprehur përmes deklaratave publike dhe protestave të përditshme, ndërsa Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka paralajmëruar një protestë tjetër për nesër.
Në qendër të revoltës qëndron aktgjykimi i 16 shtatorit 2026, me të cilin katër ish-krerë të UÇK-së u dënuan nga Gjykata Speciale. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, pasi gjykata e shpalli përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.
Kadri Veseli mori 18 vjet burgim, i shpallur fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, po ashtu për krime lufte që përfshijnë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim, pasi trupi gjykues e shpalli fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Dënimet janë shqiptuar në shkallën e parë. Palët kanë të drejtë ankese në Apel, çka do të thotë se fjala e fundit e drejtësisë në Hagë ende nuk është thënë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

