Aktivisti Edison Lika thotë se mijëra bashkatdhetarë po organizohen nga Europa për t’u mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë tri ditëve të protestës.

Grupe shqiptarësh të diasporës po nisen me makina nga qytete të ndryshme të Europës drejt Tiranës, për t’u bashkuar me protestat e paralajmëruara në kryeqytet gjatë datave 14, 15 dhe 16 gusht. Detajet e organizimit i bëri të njohura aktivisti Edison Lika, i ftuar në studion e televizionit News24.
Sipas Likës, gjatë këtyre tri ditëve pritet një pjesëmarrje masive e bashkatdhetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ata do t’i bashkohen asaj që ai e quajti rezistencë qytetare. Ai theksoi se mbështetja e diasporës ka qenë e ndjeshme që në ditët e para të protestave dhe se bashkatdhetarët janë organizuar edhe në vendet ku jetojnë.
Lika tha se lëvizja është shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë. Sipas informacioneve që ai përcolli, protesta është zhvilluar në më shumë se 70 qytete të ndryshme në Perëndim.
Për tri ditët e gushtit, sipas tij, shqiptarët e diasporës janë vetëorganizuar në udhëtime tokësore në grup. Karvane makinash janë nisur nga qytete të Gjermanisë, janë bashkuar me të tjerë në Austri dhe pritet të hyjnë në Shqipëri nga pika kufitare të tilla si Muriqani, për t’u mbledhur më pas të gjithë në bulevardin qendror të kryeqytetit.
Lika e cilësoi diasporën një faktor serioz politik në mbështetje të ndryshimit në vend. Ai shtoi se organizatorët po punojnë njëkohësisht edhe për një aksion tjetër protestues, të planifikuar për muajin shtator.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

