Paratë e mërgimtarëve po i afrohen kufirit të një miliard eurove brenda vetëm tetë muajve të vitit 2026. Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë rritje vjetore prej 6.74 për qind, ndërsa dy vende vazhdojnë të sjellin pjesën më të madhe të tyre.

Nga janari deri në gusht të vitit 2026, diaspora ka dërguar në Kosovë 984.1 milionë euro. Kjo është shifra që del nga të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), një shumë që i afrohet një miliard eurove dhe që tejkalon me 6.74 për qind nivelin e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kur remitencat kishin arritur 922.0 milionë euro.
Harta e mërgimit nga vijnë këto para nuk ka lëvizur shumë. Sipas BQK-së, Gjermania mbetet burimi kryesor, me një pjesëmarrje që në shumicën e periudhave luhatet nga rreth 35 deri në 44 për qind të remitencave totale. Pas saj vjen Zvicra, me një peshë që kryesisht ka qëndruar ndërmjet 16 dhe 24 për qind.
"Gjermania dhe Zvicra mbeten burimet kryesore, ndërsa vendet si SHBA, Austria, Belgjika, Franca, Italia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të japin kontribute të rëndësishme, por shumë më të vogla në krahasim me dy vendet kryesore", thuhet në përgjigjet e BQK-së në një intervistë për Telegrafin. Banka shton se në renditjen e vendeve kryesore dërguese nuk vërehen ndryshime të mëdha.
Edhe mënyra se si paratë kalojnë kufirin ka një fitues të qartë. Agjencitë për transfer të mjeteve përbëjnë kanalin kryesor, me 56 për qind të remitencave në periudhën janar-gusht 2026. Bankat renditen të dytat, me 18 për qind. Pjesa tjetër, sipas BQK-së, ka ardhur përmes kanaleve të tjera, kryesisht transfereve informale, remitencave në mallra dhe formave të tjera të dërgimit.
Pesha e këtyre parave në ekonominë e vendit është e madhe. Në vitin 2025, remitencat përbënin rreth 13 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) nominal. "Remitencat vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Në vitin 2025, vlera e tyre përfaqëson rreth 13% të BPV-së nominale, duke dëshmuar rëndësinë e tyre si burim i të ardhurave për një numër të madh familjesh. BQK nuk disponon studime specifike që matin ndikimin e remitencave në konsum, kursime dhe investime në nivel të familjeve", sqaron banka.
BQK-ja i regjistron remitencat si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente, në përputhje me standardet ndërkombëtare të statistikave të Bilancit të Pagesave. Megjithatë, ku përfundojnë këto para mbetet një pikëpyetje statistikore. "Për nga natyra, këto transfere shërbejnë kryesisht si mbështetje financiare për ekonomitë familjare dhe mund të përdoren për konsum, investime ose nevoja të tjera individuale. Megjithatë, BQK nuk disponon të dhëna statistikore të detajuara mbi destinimin përfundimtar të mjeteve të dërguara nga diaspora", thekson institucioni.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

