Këshilli Prokurorial i Kosovës e zgjati konkursin sepse asnjë serb nuk kishte aplikuar, por në fund u paraqitën vetëm tre kandidatë për dhjetë vende të rezervuara. Asnjëri prej tyre nuk është nga prokurorët që dhanë dorëheqje në vitin 2022.

Dhjetë vende të rezervuara për prokurorë nga komuniteti serb, tre aplikime. Ky është bilanci i konkursit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për 34 prokurorë të rinj, edhe pasi institucioni u detyrua ta zgjaste afatin, sepse në fazën e parë asnjë kandidat serb nuk kishte aplikuar.
Konkursi u hap më 4 gusht. Pas mbylljes së tij, KPK nuk ka bërë publike asnjë shifër, por RTV Dukagjini ka mësuar se aplikuan vetëm tre serbë dhe se asnjëri prej tyre nuk figuron në listën e prokurorëve që dhanë dorëheqje në vitin 2022.
KPK e konfirmon zgjatjen e afatit, por numrat i lë për më vonë: "Këshilli Prokurorial i Kosovës, siç e dini, ka zgjatur afatin e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj, me qëllim që t’u mundësohet pjesëmarrje e barabartë të gjithë kandidatëve të interesuar, përfshirë edhe kandidatët nga komuniteti serb, afat shtesë ky, i cili është përmbyllur më 28 shtator 2026. Pas përfundimit të procesit të verifikimit të të dhënave për numrin e aplikimeve të pranuara gjatë këtij afati shtesë, komisioni përkatës i KPK-së do të ofrojë informatat për numrin e përgjithshëm të aplikuesve, përfshirë aplikuesit nga komuniteti serb."
Prapa këtyre vendeve bosh qëndron një histori e pazgjidhur. Prokurorët dhe gjyqtarët serbë që u dorëhoqën në vitin 2022 kërkuan muaj më parë t'i tërhiqnin dorëheqjet dhe të ktheheshin në punë. Kërkesa e tyre nuk u miratua as nga KPK, as nga Këshilli Gjyqësor (KGJK).
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme paralajmëron se refuzimi i kthimit të tyre në sistemin e drejtësisë do të sjellë pasoja, sidomos për veriun e Kosovës: "Mund të krijojë probleme sepse bëhet fjalë për vende të rezervume që ne nuk mund t'i plotësojmë në asnjë mënyrë, ne mund të bëjmë bartje të kuadrave nga pjesa tjetër e Kosovës në veri ose këtu për mos me leju me grumbullu lëndë, por ato janë të rezervuara."
Nga GLPS-ja vlerësojnë hapin e KPK-së dhe kërkojnë që edhe Këshilli Gjyqësor të veprojë njësoj, në mënyrë që vendet e rezervuara për komunitetin serb të plotësohen sa më shpejt. "Duke qenë se në këtë konkurs kemi pak kandidatë serbë, normalisht se konkursi duhet të vijojë tutje me procedura të tjera dhe të rekrutohen aq kandidatë që kanë aplikuar dhe që i plotësojnë kushtet për këto pozita, pra është e mira që KPK-ja ka ndërmarrë hapa për plotësimin e këtyre pozitave dhe vlerësojmë se ky proces duhet të konkretizohet me një proces të ligjshëm dhe transparent", deklaroi një hulumtues i GLPS-së.
Këshilli Gjyqësor nuk ka dhënë përgjigje nëse do të hapë konkurs për plotësimin e vendeve të gjyqtarëve serbë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

