Pothuajse pesë kilogramë marihuanë, të gjetura në një veturë të ndalur para një restoranti, e kanë çuar një shtetas të Shqipërisë drejt gjykatës. Prokuroria në Gjakovë e akuzon se i transportonte për shitje.

Dhjetë qese me marihuanë, të vendosura në ulësen e pasme të një "Ford Focus" të ndalur në parkingun e një restoranti në Gjakovë, janë tani në qendër të një aktakuze. Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka akuzuar shtetasin e Republikës së Shqipërisë me inicialet A.B. për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën "Megzon Boshnjaku". Policia e Kosovës, pasi kishte siguruar informacione, e kishte vënë nën vëzhgim të pandehurin, i cili me veturën e tij u ndal në parkingun e restorantit. Hetuesit policorë e kontaktuan dhe e identifikuan, më pas kontrolluan automjetin. Në ulësen e pasme gjetën qeset e mbushura me një substancë të dyshuar si marihuanë, e cila u sekuestrua dhe u dërgua për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF).
Raporti i AKF-së konstatoi se substanca e sekuestruar ishte marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 4 kilogramësh e 855,9 gramësh. Prokuroria pretendon se i pandehuri e posedonte dhe e transportonte këtë sasi me qëllim shitjeje ose shpërndarjeje pa autorizim, dhe e ngarkon me veprën penale "Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge", sipas nenit 267, paragrafit 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, A.B. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Akuzat do të shqyrtohen tani në gjykatë, ndërsa i pandehuri konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

