Seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera të Gjakovës, ku në vitin 1999 u vranë 370 civilë, dështoi të mbahet sepse tre avokatë mbrojtës nuk u paraqitën. Gjyqtarja e shtyu çështjen për 25 shtator 2026, në orën 08:30.

Salla e Gjykatës Themelore në Prishtinë priti dhjetë minuta, por bankat e mbrojtjes mbetën bosh. Me tre avokatë mbrojtës që nuk u paraqitën, seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera të Gjakovës dështoi të mbahet.
Në nisje të seancës, gjyqtarja e rastit, Violeta Nimanaj-Hajra, konstatoi mungesën e avokatëve mbrojtës Valon Hasani, i cili nuk ishte i pranishëm, Uresa Restelica, e cila nuk kishte pranuar ende ftesën, dhe Laur Prenaj, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore. Pas ndërprerjes së shkurtër, në pritje të tyre, gjyqtarja e ndërpreu përfundimisht procedurën.
"Në këto rrethana nuk kemi kushte të vazhdojmë. Do të koordinohemi për një datë tjetër. Mendoj se kjo seancë të mbahet javën e ardhshme, më 25 shtator, në orën 08:30", deklaroi gjyqtarja Nimanaj-Hajra.
Në sallë nuk ishte asnjëri nga 53 të akuzuarit, sikurse edhe në seancën e 16 qershorit. Të gjithë ata, deri tani, gjenden në arrati, ndaj gjykimi zhvillohet në mungesë, me të akuzuarit të përfaqësuar nga avokatët e tyre.
Data e 15 shtatorit për seancën fillestare ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të 25 majit 2026, që e kishte kthyer në rivendosje vendimin e Themelores për konfirmimin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
Aktakuza ndaj 53 personave për masakrën e Mejës ishte ngritur nga Prokuroria Speciale në dhjetor të vitit 2023 dhe ishte ndryshuar më 23 dhjetor 2024. Në seancën e 16 qershorit prokurori Ilir Morina kishte lexuar aktakuzën, ndërsa gjyqtarja kishte konstatuar se janë bërë përpjekje për sigurimin e të akuzuarve dhe kishte vendosur që gjykimi të zhvillohej në mungesë.
Në masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera të Gjakovës, në vitin 1999, u vranë 370 civilë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

