Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 6 tetor për të zgjedhur shefin e ri të shtetit, përndryshe vendi shkon sërish në zgjedhje. Kurti i quan ato të panevojshme, Hamza flet për rrethana të reja pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Dhjetë ditë. Aq i ka mbetur Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri, para se vendi të hyjë në një tjetër proces zgjedhor. Afati përfundon më 6 tetor dhe partitë kryesore po dërgojnë sinjale të reja, por ende pa një marrëveshje në tryezë.
Kufiri kohor u vendos nga Gjykata Kushtetuese. Pak ditë më parë, ajo konstatoi se Kuvendi është konstituar dhe se zgjedhja e qeverisë së re nuk është antikushtetuese, duke zhbllokuar ngërçin e krijuar së fundi. Por gjykata e bëri të qartë edhe hapin e radhës: shefi i ri i shtetit duhet të zgjidhet deri më 6 tetor, ose përndryshe shkohet në zgjedhje të reja.
Kryeministri Albin Kurti, njëkohësisht lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e hodhi poshtë idenë e një rikthimi te kutitë e votimit. Sipas tij, "zgjedhjet e reja janë të panevojshme". Kurti argumentoi se votimi i ri nuk do të zgjidhte asgjë në thelb: "Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta".
Nga opozita, sinjali më i rëndësishëm erdhi nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Një ditë para deklaratës së Kurtit, ai e lidhi qëndrimin e partisë së tij me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se tani "jemi në rrethana të reja" dhe se PDK do t'i ndërrojë e do t'i përshtatë qëndrimet e veta.
"Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit", deklaroi Hamza. Ai u shpreh i gatshëm edhe për takime të tjera me liderët politikë për çështjen e presidentit.
Në kampin e Vetëvendosjes, deputeti Adnan Rrustemi paralajmëroi ftesa të reja për takime me partitë e tjera, të cilat, sipas tij, janë të domosdoshme dhe duhet të intensifikohen. Rrustemi këmbënguli se VV mbetet për një kandidat të pranueshëm për të gjithë, por fajësoi opozitën për mungesën e bashkëpunimit.
"Gjithmonë kemi qenë për një emër konsensual si Lëvizje Vetëvendosje. Unë besoj që zgjidhja është një emër konsensual, është e domosdoshme kjo. Por PDK-ja dhe Aleanca refuzojnë që të bashkëpunojnë. Unë besoj që përsëri do ta kemi qasjen e njëjtë, konstruktive për të gjetur një emër konsensual dhe pastaj për të vazhduar secili në rolin e tij dhe të saj. Ata që janë në opozitë le ta luajnë rolin e opozitës, ne që jemi në mazhorancë të përmbushim detyrimet që na përkasin", tha Rrustemi.
Kështu, në njërën anë qëndron gatishmëria e shpallur e PDK-së për të rishikuar qëndrimet, në anën tjetër thirrja e VV-së për konsensus dhe akuza e saj se opozita refuzon bashkëpunimin. Nëse deri më 6 tetor Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin, Kosova do të hyjë në një tjetër proces zgjedhor.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

