Katër persona të maskuar, dy me armë të gjata, dyshohet se u futën pak para mesnate në postën e shpejtë "Mik Mik" në Mazgit të Obiliqit. Tre vjet më vonë, gjykimi u bllokua nga mungesa e një të akuzuari.

Gjykimi për tentim-grabitjen e armatosur në postën e shpejtë "Mik Mik" në Obiliq nuk mundi të vazhdojë. Seanca dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit Fitim Cakolli dhe u shty për një datë tjetër.
Gjyqtari i rastit paralajmëroi se, nëse Cakolli nuk paraqitet as në seancën e radhës, procedura penale ndaj tij do të veçohet, ashtu që të mos pengohet vazhdimi i gjykimit ndaj të akuzuarve të tjerë.
Rasti ka të bëjë me natën e 23 qershorit 2022. Pak para mesnatës, në objektin e postës së shpejtë "Mik Mik", në fshatin Mazgit të Obiliqit, dyshohet se hynë katër persona të maskuar. Dy prej tyre ishin të pajisur me armë të gjata, ndërsa të tjerët mbanin mjete të forta.
Të dyshuarit u përballën me punëtorët dhe pronarin e postës, por grabitja nuk u realizua. Gjatë largimit, njëri prej tyre dyshohet se shtiu me armë zjarri në drejtim të objektit. Nga të shtënat nuk ishte raportuar për persona të lënduar.
Vetura me të cilën dyshohej se u larguan nga vendi i ngjarjes ishte gjetur më pas e djegur në autostradë. Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe kishte mbledhur prova materiale, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë.
Të akuzuarit e tjerë në këtë rast mbeten nën prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Data e seancës së ardhshme nuk është bërë e ditur.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

