Ish-shefi i policisë serbe në Istog dhe një ish-polic gjykohen në Prishtinë për krime lufte, përfshirë dhunën në burgun e Dubravës në maj të vitit 1999. Të enjten, salla u boshatis nga publiku për të dëgjuar një dëshmitar, identiteti i të cilit mbrohet me urdhër gjykate.

Dyert e sallës në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbyllën të enjten për publikun. Në bankën e të akuzuarve ishin dy ish-pjesëtarë të policisë serbe, të ngarkuar për krime kundër popullsisë civile në rajonin e Istogut. Në podium do të dilte një dëshmitar që gjykata e njeh vetëm me shenjën B1.
Të akuzuarit janë Momir Pantiq, ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, dhe Zharko Zariq, ish-polic. Kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala-Abdyli, njoftoi në fillim të seancës se do të dëgjohej dëshmitari anonim B1. Për të, gjykata kishte urdhëruar më herët masa mbrojtëse dhe ruajtje të anonimitetit.
Kërkesën për seancë me dyer të mbyllura e paraqiti prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli. Ajo e arsyetoi me ndjeshmërinë e rastit. Avokatët mbrojtës, Millosh Deleviq dhe Dejan Vasiq, nuk e kundërshtuan propozimin dhe ia lanë vendimin gjykatës.
Aktakuzën e ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 1 shtator 2024. Sipas saj, Pantiq dhe Zariq ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale "Krimi i luftës kundër popullsisë civile".
Në qendër të akuzave është burgu i Dubravës. Prokuroria pretendon se më 19 maj 1999, pasi bombardimet e NATO-s lanë të vdekur tre të burgosur shqiptarë, Pantiq shkoi në burg bashkë me forcat policore serbe për të marrë kontrollin e situatës. Sipas aktakuzës, sapo pushuan bombardimet, policët dhe gardianët hynë në dhomat e të burgosurve dhe ushtruan dhunë sistematike. Ata i rrahën të burgosurit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm sepse ishin shqiptarë.
Bombardimet vazhduan edhe më 21 maj. Atë ditë, sipas aktakuzës, u vranë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Të nesërmen në mëngjes, gardianët dhe të burgosur serbë të armatosur, bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale nën komandën e Stacionit Policor në Istog, i mblodhën të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit. Prokuroria pretendon se më pas hapën zjarr ndaj tyre me armë të llojeve të ndryshme, ndërsa nga pas murit të burgut hodhën bomba në drejtim të tyre.
Akuzat nuk ndalen te burgu. Sipas prokurorisë, forcat policore serbe të stacionit në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit, rrëmbyen një civil shqiptar, të identifikuar në dosje me pseudonimin "A1", dhe e dhunuan seksualisht. Aktakuza përshkruan edhe dhunimin e një viktime tjetër, të shënuar si "B1". Dy të pandehurit akuzohen gjithashtu për vrasjen e disa familjeve në Komunën e Istogut.
Pantiq dhe Zariq konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

