Një makinë u përplas qëllimisht mbi deputeten e pavarur Helen Haines para zyrës së saj në Wangaratta të Australisë. Një burrë 43-vjeçar është arrestuar, ndërsa një njësi kundër terrorizmit ka nisur hetimin ndaj tij.

Helen Haines, deputete e pavarur në parlamentin australian, po lufton për jetën pasi u godit qëllimisht nga një makinë para zyrës së saj në Wangaratta, të hënën. Gjendja e saj është kritike, sipas policisë dhe kryeministrit australian Anthony Albanese.
Policia e shtetit të Viktorias njoftoi se pas sulmit është arrestuar një burrë 43-vjeçar. Wangaratta ndodhet rreth tre orë me makinë në verilindje të Melburnit. Ushtruesi i detyrës së superintendentit në Policinë e Viktorias, Ashley Mason, deklaroi në një konferencë për shtyp se nuk ka më asnjë kërcënim për publikun.
Haines, 65-vjeçe, u transportua me ajër drejt spitalit, tha kryeministri Albanese. "Të gjitha mendimet tona janë me Helenin, familjen e saj, miqtë e saj, ekipin e saj dhe komunitetin e saj në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë. Po lutemi për shërimin e saj të plotë", u shpreh ai para gazetarëve.
Motivi i sulmit mbetet i panjohur. Albanese tha se është ende herët për ta përcaktuar atë, por bëri të ditur se i dyshuari i arrestuar do të hetohet nga një njësi e posaçme kundër terrorizmit.
Familja e deputetes publikoi një deklaratë në faqen e saj në Facebook, ku falënderoi të gjithë ata që ndërhynë pas sulmit: "Falënderojmë kalimtarët për ndihmën e shpejtë dhe punonjësit e përkushtuar shëndetësorë që e ndihmuan, si dhe policinë për reagimin e saj."
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

