Autoritetet gjermane kanë zbuluar një depo sekrete armësh në një pyll në Brandenburg, që sipas dyshimeve mund të jetë ngritur për llogari të shërbimeve ruse të inteligjencës. Një i dyshuar është arrestuar në Rumani.

Në një pyll të landit Brandenburg, jo larg Berlinit, hetuesit gjermanë kanë nxjerrë në dritë një depo të fshehtë armësh që ka ngritur dyshime të forta për një operacion të drejtuar nga shërbimet ruse të inteligjencës.
Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës dyshon se depoja mund të jetë krijuar në emër të inteligjencës ruse. Çështja po hetohet nga Zyra e Prokurorit Federal, nën dyshimet se armët mund të ishin pjesë e përgatitjeve për një akt të rëndë dhune që rrezikon sigurinë e shtetit.
Sipas dyshimeve të autoriteteve gjermane, arsenali ishte fshehur për t'u përdorur nga agjentë të gatshëm për të kryer të ashtuquajturat "operacione mobile", përfshirë edhe vrasje, në emër të Rusisë.
Zbulimi erdhi pas një informacioni të marrë nga autoritetet, të cilat nisën menjëherë hetimet dhe vunë zonën nën vëzhgim. Megjithatë, personat që kishin ngritur depon duket se kuptuan se po monitoroheshin.
Një person i dyshuar, i arrestuar së fundmi në Rumani, mund të ketë qenë përgjegjës për krijimin e depos së fshehtë. Rrethanat e sakta se si u ngrit ajo dhe kush qëndron pas saj janë ende nën hetim.
Prokuroria po përpiqet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një operacion të organizuar nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe nëse armët ishin destinuar për sulme në territorin gjerman.
Zbulimi vjen në një periudhë kur autoritetet gjermane kanë paralajmëruar vazhdimisht për rritjen e aktiviteteve të dyshuara të spiunazhit dhe sabotazhit të lidhura me Rusinë në Gjermani.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

