Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar 16 shtatorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit në rastin kryesor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Deri atëherë, Hashim Thaçi mbetet në paraburgim.

Pas viteve procesi, gjykimi i katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po hyn në fazën vendimtare. Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar datën 16 shtator 2026 për shpalljen e aktgjykimit në rastin kryesor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, si dhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Shtatori pritet të jetë ndër muajt më të rëndësishëm në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë. Përveç shpalljes së aktgjykimit në rastin kryesor, ky muaj parashihet të sjellë edhe deklaratat përmbyllëse në procesin e dytë.
Gjykimi ndaj katër të akuzuarve ka qenë një nga çështjet më të mëdha dhe më të ndjekura që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, dhe rezultati i tij mbart rëndësi të veçantë për Kosovën.
Ndërkohë, Hashim Thaçi do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin e përbashkët. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka refuzuar kërkesën për lirimin e tij dhe ka vendosur vazhdimin e masës — vendimi i 27-të i këtij lloji ndaj ish-presidentit.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

