Spitali i Përgjithshëm i Pejës thotë se nuk është subjekt i aktakuzës për një aktivitet prokurimi të tij dhe se me operatorin ekonomik të akuzuar nuk ka nënshkruar kurrë kontratë. Oferta e tij, sipas spitalit, ishte eliminuar si e papërgjegjshme.

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dalë publikisht për t'u distancuar nga aktakuza e ngritur lidhur me një aktivitet prokurimi të këtij institucioni, duke theksuar se vetë spitali nuk është subjekt i akuzës.
Në sqarimin e tij për opinionin publik, institucioni shëndetësor sqaron se me operatorin ekonomik ndaj të cilit është ngritur aktakuza nuk ka lidhur kontratë, as më herët e as në kuadër të procedurës për të cilën bëhet fjalë.
Sipas spitalit, aktiviteti i prokurimit në fokus kishte të bënte me furnizimin me libra të Protokollit. Operatori ekonomik në fjalë kishte dorëzuar ofertë pas thirrjes publike, por pas procesit të vlerësimit oferta u eliminua si e papërgjegjshme, në përputhje me kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në Dosjen e Tenderit dhe në Njoftimin për Kontratë.
Spitali thotë gjithashtu se, pasi pranoi kërkesat zyrtare nga organet e rendit dhe të drejtësisë, bashkëpunoi menjëherë dhe plotësisht me organet hetimore, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar për këtë procedurë.
"Spitali i Përgjithshëm i Pejës mbetet i përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë, transparencës institucionale dhe përgjegjshmërisë në çdo proces që lidhet me menaxhimin e fondeve publike", thuhet në sqarimin e institucionit.
Rasti ndërlidhet me aktakuzën e njohur më parë publikisht për tenderin e Spitalit të Pejës, ku në qendër të akuzës qëndron dorëzimi i dokumentacionit të kualifikimit, CV dhe diplomë, në emër të një personi tjetër. Për personat e përfshirë vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

