Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, paralajmëron se kërcënimet e së ardhmes nuk njohin kufij dhe se vendi i tij mund të vendosë radarë në rajon. Angazhimi i Romës në Ballkanin Perëndimor, sipas tij, nuk varet nga madhësia e KFOR-it.

Italia nuk ka ndër mend të largohet nga Ballkani Perëndimor, edhe nëse misioni i KFOR-it në Kosovë e zvogëlon praninë dhe operacionet e tij. Ky ishte mesazhi që ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, dha në Prishtinë, në margjinat e ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Crosetto e paraqiti Ballkanin si pjesë të rëndësishme të sigurisë së vetë Italisë. Në këtë kuadër, ai hapi mundësinë që në të ardhmen të vendosen radarë në rajon, me synimin për të mbrojtur si vendet e rajonit, ashtu edhe Italinë nga kërcënimet e mundshme.
Për të shpjeguar pse, ministri iu referua sulmeve me raketa ndaj aeroporteve të Arabisë Saudite. Sipas tij, ato raketa u ndërtuan nga huthitë, jo nga inxhinierë të specializuar, dhe arritën shpejtësi prej 8.500 kilometrash në orë. Kur e merr parasysh këtë, tha Crosetto, "e kuptoni natyrën e kërcënimeve me të cilat do të përballen të gjitha kombet në të ardhmen".
Prej këtu ai nxori edhe përfundimin politik: "Kjo thekson rëndësinë e ruajtjes së një pranie në vendet fqinje mike, me qëllim krijimin e një mburoje të përbashkët mbrojtëse, të aftë për t’iu kundërvënë kërcënimeve të tilla".
Crosetto nuk dha detaje se kur, ku apo në çfarë forme mund të vendosen radarët e përmendur.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

