Rritja më e madhe e çmimeve të banesave nuk po ndodh më në kryeqytet: në tremujorin e dytë, pronat jashtë Prishtinës u shtrenjtuan për 12.8 për qind, ndërsa në treg agjentët flasin për shitje në rënie dhe çmime shpalljeje që bien ndjeshëm në negociata.

Kryeqyteti nuk është më motori i shtrenjtimit të banesave në Kosovë. Në tremujorin e dytë të këtij viti, çmimet e pronave të banimit në rajonet e tjera të vendit u rritën për 12.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në Prishtinë rritja ishte vetëm 4.1 për qind. Në nivel vendi, pronat u shtrenjtuan për 7.3 për qind, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Prishtina vazhdon të mbajë disa nga çmimet më të larta në vend. Aty banesat shiten aktualisht nga rreth 1.100 deri në 3.000 euro për metër katror, varësisht nga lagjja, ndërtuesi, cilësia e ndërtimit dhe infrastruktura. Por peshën e rritjes tashmë e mbajnë qytetet e tjera.
Nagip Skenderi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se rajone të caktuara janë duke e kopjuar Prishtinën si shembull për ndërtimin dhe çmimin e banesave, dhe se në disa qytete kanë filluar të ndërtohen ndërtesa pranë ndërtesave. Bashkë me modelin e ndërtimit, sipas tij, është përhapur edhe një mënyrë financimi: shitja e banesave qysh në fazat e hershme të projektit. Blerësit që paguajnë paraprakisht dhe me para të gatshme mund ta marrin pronën më lirë, ndërsa investitori i përdor ato mjete për të vazhduar ndërtimin. Skenderi e ilustron me shifra: nëse çmimi i planifikuar për metër katror është 1.500 ose 1.300 euro, blerësit që paguan me paradhënie mund t'i jepet me 900 deri në 1.000 euro. Këtë sistem ai e lidh me ngritjen artificiale të vlerës në treg.
Prizreni është qyteti ku diferenca me kryeqytetin është ngushtuar më së shumti. Në qendër dhe në zonat pranë saj, çmimet variojnë nga 1.200 deri në 1.700 euro për metër katror, ndërsa në periferi nga 750 deri në 800 euro, sipas Verim Morinës, pronar i agjencisë B-LUX Real Estate në Prizren. Ai thotë se Prizreni është pak a shumë i njëjtë me Prishtinën për nga çmimet, por se shitjet sivjet janë vetëm sa një e treta e vitit të kaluar, një vlerësim që e bazon në vëzhgimet e veta dhe jo në të dhëna të verifikuara nga ndonjë institucion. Morina thekson gjithashtu se kostoja e ndërtimit të një objekti banesor është e përafërt në gjithë Kosovën dhe se një metër katror del 450 deri në 500 euro.
Rënia e shitjeve nuk kufizohet te Prizreni. Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës thotë se shitjet e pronave kanë rënë këtë vit krahasuar me dy vitet e kaluara, një trend që, sipas tij, ka nisur para dy vjetësh dhe lidhet, mes tjerash, me ndryshimin e mënyrës se si diaspora po i orienton investimet. Të dhënat zyrtare për këtë trend mbeten të paplota: Agjencia Kadastrale e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për shifra mbi shitjet e këtij viti dhe të vitit të kaluar.
Distanca mes çmimit të shpalljes dhe çmimit të kontratës duket më qartë në qytetet e vogla. Në Lipjan, sipas pronarit të një agjencie të patundshmërive që kërkoi të mbetet anonim, çmimet fillestare në qendër arrijnë deri në 1.100 euro për metër katror, por prona shitet maksimalisht 850 deri 900 euro. Në periferi kërkohen 680 deri 700 euro, ndërsa realisht nuk shitet mbi 650 euro.
Valon Januzi, vlerësues i licencuar i pronave të paluajtshme në kompaninë Paralel Consulting & Appraisals, shpjegon se çmimi i shpalljes mund të ndikohet nga pritjet personale të shitësit, nga hapësira e lënë për negocim ose nga mënyra se si pronari e percepton vlerën e pronës së vet. Te disa prona, thotë ai, dallimi mes çmimit të shpallur dhe vlerës reale të tregut është i konsiderueshëm.
Pikërisht këtu qëndron dallimi mes asaj që shihet në shpallje dhe asaj që matet zyrtarisht: indeksi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk i mat çmimet e shpalljeve, por bazohet në transaksionet e regjistruara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

