Ndërsa familjarët e të akuzuarve prisnin para sallës në Hagë shpalljen e aktgjykimit, Mitrovica e Veriut dhe e Jugut u mbushën me flamuj të UÇK-së, me policinë dhe KFOR-in në urën mbi Ibër.

Një pankartë gjigante me mbishkrimin "Çlirimtarë, ju pret Kosova" u vendos në Mitrovicë të Jugut, në vendlindjen e Kadri Veselit, ndërsa sheshet dhe rrugët e Mitrovicës së Veriut dhe të Mitrovicës së Jugut, si në qytetet e tjera të Kosovës, u mbushën me flamuj të UÇK-së dhe flamuj kombëtarë. Në urën mbi lumin Ibër qëndronin forca të Policisë dhe të KFOR-it.
Ky ishte peizazhi i qytetit në pritje të verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në Hagë, disa minuta para se të fillonte seanca në të cilën shpallet aktgjykimi, Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, u paraqit para mediave dhe tha se familja e pret prej kohësh vendimin.
"Vendimin jemi duke e pritur bukur gjatë, po besoj se sot i ka ardhur fundi dhe e dëgjojmë një lajm të mirë. Obligimin jetësor me kohë e kanë kryer për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj. Besimi në pafajësinë e tyre vazhdon të jetë më i madh sesa dobësitë që mund të jenë ndonjëherë", deklaroi ai.
Duke folur për procesin gjyqësor, Avdyl Krasniqi tha se pret që gjykata të bazohet në prova dhe fakte. Sipas tij, dëshmitë kanë qenë të pabesueshme dhe një pjesë e materialit ka ardhur nga Serbia. "Dëshmitarët kanë qenë joseriozë, një pjesë prej tyre, një pjesë e të dhënave ishin nga Serbia dhe të gjitha këto kanë ndikuar që prokuroria të ngrejë akuza të rënda... E njohim historinë tonë si është zhvilluar me shekuj. Evropa shpeshherë ka bërë veprime jo të duhura e në dëm të popullit shqiptar, shpresoj që kësaj radhe të vendoset më drejt", u shpreh ai.
Ai u ndal edhe në një dhimbje familjare: vdekjen e njërit prej vëllezërve dhe mungesën e Jakup Krasniqit në varrim. "Na ka vdekur një vëlla, mungesa e Jakupit edhe në varrim e në shprehje të ngushëllimeve ka qenë e madhe, por e gjithë Kosova ka qenë për ngushëllime dhe na e kanë lehtësuar dhimbjen", tha ai.
Duke hyrë në objektin e Gjykatës Speciale, Altini, djali i Jakup Krasniqit, tha se pret një aktgjykim lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe se ata do të kthehen të lirë në Kosovë. "Besoj se vendimi do të jetë lirues. Cilido që të jetë vendimi, unë jam krenar për secilin, për UÇK-në dhe për çdo gjë çka kanë bërë për neve... Për neve dhe për këta është një mbështetje e madhe që populli është me UÇK-në. Diçka çka dëshirojmë është që populli ta dijë vlerën e UÇK-së", tha ai.
Të katër ish-krerët e UÇK-së përballen me akuzat e prokurorisë në Hagë, ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet brenda ditës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

