Me një shkresë zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit, PDK ka tërhequr përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare dhe ka lajmëruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa seanca ku mbetet për t'u zgjedhur pikërisht nënkryetarët po pritej të vazhdonte pa deputetët e saj.

Emri i Vlora Çitakut është hequr, të paktën përkohësisht, nga lista e kandidatëve për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se e pezullon kandidaturën e saj deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar rreth konstituimit të legjislaturës.
Vendimi i është komunikuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me një shkresë të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri. Në të thuhet se hapi është marrë për shkak të asaj që partia e quan shkelje të vazhdueshme të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
PDK i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, duke argumentuar se procesi i konstituimit duhej të kishte përfunduar brenda afatit kushtetues. Sipas Tahirit, deputetët e kësaj partie morën pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit edhe pse afati kishte skaduar, me qëllim që të ndihmonin mbylljen e procesit. "Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua", thuhet në shkresë, ku pretendohet se u krijuan pengesa të reja dhe se çështje procedurale e politike u përdorën për ta shtyrë procesin.
Partia bën të ditur se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar "vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar". Deri atëherë, ajo nuk merr pjesë në vazhdimin e procesit të konstituimit. Njëkohësisht, PDK nuk heq dorë nga posti: "Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë", qëndron në shkresë. Pas vendimit të Kushtetueses, sipas njoftimit, deputetët e saj do të kthehen në sallë dhe do të veprojnë në përputhje me të, ndonëse nuk dihet ende kur pritet ky vendim.
Ndërkohë, në ndërtesën e Kuvendit deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të hyjnë në sallë, ku janë parë edhe deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në ambientet e Kuvendit kanë arritur edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët do të jenë pjesë e seancës.
Seanca ishte paraparë të vazhdonte nga ora 10:00, por nuk kishte nisur ende. Pika e vetme e mbetur për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit është pikërisht zgjedhja e nënkryetarëve, e njëjta pikë për të cilën PDK ka tërhequr kandidaten e saj dhe ka braktisur sallën.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

