Ndërsa qytetarët protestojnë prej ditësh, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës paralajmëron se pa një zgjidhje të shpejtë politike situata mund të përshkallëzohet. Sipas tij, barra më e madhe për të hapur rrugën drejt zgjidhjes i takon pushtetit.

Dhuna duhet të ndalet menjëherë, por edhe kërkesat e protestuesve duhet të marrin përgjigje. Ky është mesazhi i dyfishtë i Eugen Cakollit, menaxherit të lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Ai paralajmëron se situata në vend mund të përshkallëzohet nëse nuk gjendet shpejt një zgjidhje politike.
Cakolli e ka lidhur thirrjen e tij drejtpërdrejt me qytetarët që prej ditësh janë në rrugë. "A jemi duke e ditë ku mundet me na çu kjo situatë, nëse lihet kështu? Dhuna duhet me marrë fund menjëherë. Por edhe kërkesat që i kanë mbajtur qytetarët në rrugë prej ditësh, e sidomos sot, kërkojnë përgjigje dhe veprim të menjëhershëm politik", ka shkruar ai.
Për Cakollin, përgjegjësia nuk ndahet në mënyrë të barabartë. Sipas tij, pushteti mban peshën kryesore, sepse ka numrat dhe mjetet institucionale për të vepruar. "Normalisht, për shkak të numrave dhe mjeteve institucionale, barra më e madhe bie mbi pushtetin, që ka edhe mundësinë më të madhe me kriju hapësirë për një zgjidhje", ka deklaruar ai.
Skenari që e shqetëson më shumë është një krizë e pazgjidhur që përfundon në zgjedhje. "Nëse kjo krizë mbetet e hapur dhe kështu shkojmë drejt zgjedhjeve, ato veçse kanë me e ashpërsu përplasjen. Madje, me këtë shkallë polarizimi, rrezikojmë që krejt procesi zgjedhor me u përcjellë me tensione, incidente e deri në përplasje qytetare", ka shkruar Cakolli. Sipas tij, as votimi nuk do ta mbyllte problemin: "E edhe pas tyre, problemi politik do të jetë i njëjtë, veçse edhe më vështirë i zgjidhshëm".
Prandaj Cakolli kërkon reflektim të menjëhershëm dhe paralajmëron se çdo vonesë e rëndon situatën. "Prandaj, është koha e fundit që me reflektu. Pasnesër mund të jetë shumë vonë", ka shtuar ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

