Pas gjashtë vjetësh diskutimi dhe katër miratimesh në Qeveri, ligji për Byronë që do të verifikojë dhe konfiskojë pasurinë e pajustifikueshme kaloi në Kuvend në lexim të parë. Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kosova nuk ka nevojë për këtë mekanizëm dhe paralajmëron për rreziqe ndaj pavarësisë dhe të drejtave të qytetarëve.

Me 81 vota për, Kuvendi i Kosovës miratoi më 5 tetor, në lexim të parë, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Votimi e çon përpara një nismë që ka qarkulluar për vite me radhë në institucione, por nuk i ka shuar debatet që e shoqërojnë: pavarësia e Byrosë, garancitë juridike për qytetarët, barra e provës dhe respektimi i së drejtës së pronës.
Një nga zërat më kritikë është Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Gzim Shala nga ky institut, në një deklarim për Front Online, e vuri në pikëpyetje vetë procesin e hartimit të ligjit. "Tash e gjashtë vite, në Kosovë është duke u diskutuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjatë kësaj periudhe, ky ligj është miratuar katër herë në Qeveri", tha Shala.
Për IKD-në, problemi nuk është vetëm te procedura, por te nevoja për vetë institucionin. "Sa i përket nevojës së themelimit të një mekanizmi të tillë, IKD vazhdimisht ka theksuar se Kosovës, aktualisht, nuk i nevojitet një mekanizëm i konfiskimit civil", deklaroi ai.
Shala argumentoi se dështimet e deritanishme nuk e justifikojnë një strukturë të re. Sipas tij, vendi ka tashmë instrumente ligjore për sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, që nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. "Mungesa e rezultateve në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë nuk është arsye për ndërtimin e një sistemi të ri", tha ai.
Megjithatë, IKD-ja nuk e mbyll derën plotësisht. Nëse politika vendos ta ngrejë Byronë, Shala vendos tri kushte: garanci procedurale, siguri juridike dhe përputhje me Kushtetutën. "Përderisa është vullnet politik që të ndërtohet një mekanizëm i tillë, është shumë e rëndësishme që ky mekanizëm të ofrojë garanci të mjaftueshme procedurale, të ruajë sigurinë juridike dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën", theksoi ai.
Shqetësimi i parë konkret lidhet me mënyrën se si zgjidhen drejtuesit e Byrosë. Sipas Shalës, drafti i publikuar për konsultime publike parasheh që drejtori i përgjithshëm dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, të marrin votat e shumicës së deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. IKD-ja vlerëson se kjo formulë duhet shqyrtuar me kujdes, që Byroja të ruajë pavarësinë institucionale dhe të mos bjerë nën ndikim politik.
Pika e dytë, ndoshta më e ndjeshmja për qytetarët, është barra e provës: kur dhe në çfarë kushtesh një person detyrohet të shpjegojë nga e ka pasurinë. "IKD vlerëson se duhet të qartësohet edhe momenti kur barra e provës kalon te pala", tha Shala. Sipas tij, gjykata duhet të jetë filtri i parë: "Para kësaj, Gjykata duhet ta kontrollojë realisht propozimin e Byrosë dhe të konstatojë se ai është i arsyetuar dhe i mbështetur me prova të mjaftueshme. Vetëm pas këtij konfirmimi mund të kërkohet nga pala që ta arsyetojë pasurinë".
Leximi i parë është vetëm hapi fillestar. Projektligji pritet të rikthehet në debatin parlamentar në fazat e ardhshme, ku pavarësia e Byrosë, garancitë procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve mbeten ndër pikat kryesore të përplasjes.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

