Një burim ushtarak i NATO-s pohon se dronët që goditën dy cisterna brenda ujërave territoriale të Rumanisë erdhën nga Rusia. Bukureshti, Sofja dhe aleanca premtojnë mbrojtje më të fortë në Detin e Zi, ndërsa numri i detarëve të vrarë apo të zhdukur në rajon vazhdon të rritet.

Dronët që i kthyen në flakë dy cisterna pranë bregdetit rumun të Detit të Zi ishin me origjinë ruse, sipas një burimi ushtarak të NATO-s. "Dronët që shkaktuan zjarret në bordin e dy cisternave brenda ujërave territoriale rumune ishin me origjinë ruse", tha burimi për agjencinë Reuters, duke iu referuar anijeve Wine Trader dhe Yara J.
Nga Wine Trader, një cisternë me flamur të San Marinos që lundronte nga Tunizia drejt Rumanisë, mungojnë ende shtatë detarë, ndërsa i gjithë ekuipazhi i Yara J, e goditur vonë të mërkurën, është i sigurt.
Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, konfirmoi se të dyja anijet u goditën nga dronë, por nuk pranoi të thoshte nëse përgjegjëse është Rusia. Ai e cilësoi gjendjen në Detin e Zi si të rëndë. "Anijet tregtare po sulmohen dhe po fundosen", shkroi Dan në rrjetin X. "Detarë të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur shumë pranë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë. Kjo është e papranueshme dhe duhet të marrë fund."
Deklarata erdhi pas një takimi të enjten me kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Sipas Danit, të tre ranë dakord "të forcojmë mbrojtjen tonë në Detin e Zi". Rutte paralajmëroi rregullime në qëndrimin e aleancës: "NATO do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët tanë në Detin e Zi, duke përshtatur qëndrimin tonë të parandalimit dhe mbrojtjes sipas nevojës." Një zyrtar i NATO-s bëri të ditur se çështja do të shqyrtohet javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Nga Brukseli, ku mbërriti për samitin e BE-së, Radev mbajti një qëndrim më të kujdesshëm për autorësinë. "Rezultatet e këtij sulmi e favorizojnë Rusinë. Megjithatë, nuk kemi asnjë provë të fortë se dronët janë rusë", tha ai.
Sulmet pranë Rumanisë nuk janë të vetmet. Të martën, dronë goditën dy anije pranë brigjeve të Bullgarisë dhe nisën operacione emergjente shpëtimi. Nga HS Dignity, një anije mallrash me flamur të Guinesë-Bisau, 11 anëtarë të ekuipazhit mbeten të zhdukur. Në Chelsea 3, anije me flamur të Maltës e operuar nga ukrainas, shpëtimtarët evakuuan të 15 anëtarët e ekuipazhit, pesë prej të cilëve morën trajtim për lëndime të lehta. Sipas ekuipazhit, kuverta dhe trupi i anijes u goditën nga tre dronë ajrorë. Në dhjetë ditët e fundit, të paktën 23 detarë janë raportuar të zhdukur ose të vrarë pas sulmeve ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë.
Korridori ka peshë të madhe për Ukrainën. Rusia ka shtuar bombardimet ndaj infrastrukturës ukrainase në Detin e Zi, duke e detyruar Kievin të mbështetet te portet në lumin Danub dhe te rrugët detare pranë Rumanisë e Bullgarisë për eksportin e grurit, vajit të lulediellit dhe produkteve të tjera. Incidentet e javëve të fundit kanë ngjallur frikën se zona po kthehet në një front tjetër të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Rumania ndan me Ukrainën një kufi prej 614 kilometrash, pjesa më e madhe e tij përgjatë Danubit. Që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, vendi ka përjetuar shpesh hyrje dronësh në territorin e tij, përfshirë një rast në mes të ditës nëntorin e kaluar, kur NATO ngriti në ajër avionë luftarakë.
Sipas një projektdeklarate të samitit, udhëheqësit e BE-së do të deklarojnë se sulmet ndaj anijeve civile, përfshirë ato me flamur të shteteve anëtare, "si sulmet e fundit në zonat ekonomike ekskluzive të Bullgarisë dhe Rumanisë në Detin e Zi, janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe detare".
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

