Miloçeri i Budvës kthehet në qendër të diplomacisë evropiane për Ballkanin Perëndimor. Albin Kurti pritet të ulet me komisionaren Marta Kos për zhvillimet e fundit në Kosovë, sipas mediave malazeze.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë në mesin e liderëve që do të mblidhen në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi, për Samitin e Procesit të Berlinit. Emrat e tyre figurojnë në listën e pjesëmarrësve të publikuar nga Qeveria e Malit të Zi.
Në të njëjtën tryezë do të ulen edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Serbisë, Djuro Macut, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Lista e Samitit të Liderëve përmban 32 emra, mes tyre zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Antonio Tajani, ministri i deleguar për Evropën Benjamin Haddad dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto. Do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe të organizatave të tjera rajonale e ndërkombëtare.
Figura qendrore e dy ditëve në Mal të Zi do të jetë komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Sipas Komisionit Evropian, ajo do të qëndrojë në vend të mërkurën dhe të enjten, me një agjendë që shkon përtej samitit.
Të mërkurën, Kos takohet fillimisht me presidentin malazez Jakov Milatoviq, me të cilin do të diskutojë ecurinë e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas tij, bashkëbiseduesi i saj do të jetë kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, për agjendën evropiane të vendit dhe rolin e dialogut politik në shtyrjen përpara të reformave. Komisionarja ka në program edhe bisedime me përfaqësues të partive opozitare, ndërsa pasditen e ka rezervuar për kryeministrin Milojko Spajiq, me të cilin do të shqyrtojë se ku kanë arritur reformat e lidhura me procesin e anëtarësimit.
Të enjten, Kos i bashkohet samitit, ku në qendër të vëmendjes do të jenë bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në margjina të tij, ajo do të takohet me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, për investimet dhe mbështetjen për zhvillimin rajonal.
Për Prishtinën, momenti më i rëndësishëm mund të jetë një takim i veçantë: sipas mediave malazeze, Kurti do të takohet me Kosin për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

