Tregu i përbashkët i BE-së, deri tani i mundshëm plotësisht vetëm për anëtarët, mund t'u hapet nëntë vendeve kandidate që para anëtarësimit, por vetëm me reforma konkrete. Në draftin e Komisionit Evropian, Kosova nuk figuron mes përfituesve.

Nëntë vende që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian mund të fitojnë qasje në tregun e përbashkët të bllokut pa e pritur anëtarësimin formal. Ky është thelbi i një propozimi të Komisionit Evropian për ndryshimin e politikës së zgjerimit, ku tregu i përbashkët përshkruhet si "instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike".
Vendet e përfshira janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Kosova nuk është në këtë listë.
Tregu i përbashkët është hapësira e BE-së ku mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali qarkullojnë lirshëm. Deri tani, qasja e plotë në të ka qenë e mundur vetëm pasi një shtet bëhet anëtar zyrtar.
Dokumenti, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, pritet të miratohet ose të publikohet më 6 tetor, pas takimit njëjavor të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg. Ai do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike të liderëve të BE-së në samitin për zgjerimin, që mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel. Që propozimet, ose një pjesë e tyre, të hyjnë në fuqi, nevojiten miratimi formal dhe pajtimi i të gjitha shteteve anëtare.
Qasja nuk vjen automatikisht. Ajo lidhet drejtpërdrejt me përparimin konkret që bën secili vend në reforma. "Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme", thuhet në draft-dokumentin e Komisionit. Instrumentet ekzistuese do të zgjeroheshin hap pas hapi, në përpjesëtim me shkallën në të cilën një vend është realisht i gatshëm.
Komisioni parashikon edhe mekanizma mbrojtës kundër "ngecjes" në reforma, që do të thotë se qasja e fituar një herë nuk është domosdo e përhershme. Megjithatë, dokumenti nuk përcakton kritere të sakta, afate kohore apo rrethana të qarta se kur mund të pezullohet kjo qasje.
Në anën e ofertës, drafti propozon përfshirjen e hershme të vendeve kandidate në sektorë të përzgjedhur: teknologjitë kritike, ekosistemet industriale, integrimi financiar dhe zinxhirët e qëndrueshëm të furnizimit. Propozohet gjithashtu pjesëmarrja në "Horizont Evropa", programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, si dhe në projekte të rëndësishme me interes të përbashkët evropian.
Disa nga ofertat, megjithatë, nuk janë të reja. Zona e përbashkët e pagesave në euro (SEPA) është tashmë në dispozicion për shumicën e vendeve kandidate, dhe pesë prej tyre, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, i janë bashkuar zyrtarisht. Ngjashëm qëndron puna me roamingun: Ukraina dhe Moldavia përdorin regjimin pa tarifa roamingu që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Komisioni planifikon që vitin e ardhshëm heqjen e këtyre tarifave ta shtrijë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ofertë lidhet me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Propozimi prek edhe një çështje më delikate: të drejtat e anëtarëve të ardhshëm. Sipas draftit, vendet që do të anëtarësohen nuk do të gëzojnë domosdo, që në momentin e hyrjes, të njëjtat të drejta si shtetet aktuale anëtare. Komisioni propozon kufizimin e së drejtës së vetos: anëtarët e rinj do të angazhoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet njëzëshmëri, një "angazhim i përkohshëm në lidhje me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian".
Ndryshime u propozohen edhe vetë shteteve anëtare. Komisioni sugjeron kalimin nga vendimmarrja unanime në shumicë të cilësuar në disa fusha, përfshirë zgjerimin. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave do të vendosej me shumicë të cilësuar, ndërsa pranimi i një anëtari të ri do të mbetej vendim unanim.
Korina Stratulat, zëvendësdrejtore në Qendrën për Politika Evropiane, e sheh ofertën në "çekuilibër". "Për kandidatët vendosen kushte të rrepta, ndërsa Bashkimit, në përgjithësi, i ofrohen mundësi dhe jo detyrime", vlerëson ajo.
"Megjithatë, oferta duhet të jetë po aq e qartë sa edhe kushtet: çfarë qasjeje sigurojnë kandidatët, kur e sigurojnë atë dhe çfarë do ta justifikonte pezullimin e saj. Kandidatët duhet ta dinë se çfarë do t’u mundësojë përmbushja e kushteve, dhe jo vetëm se sa mund t’u kushtojë mospërmbushja e tyre", thotë Stratulat. Dhe paralajmëron: "Integrimi gradual duhet të mbetet rrugë drejt anëtarësimit, dhe jo një dhomë pritjeje e përhershme".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

