Kosova ka marrë dritë jeshile nga pala amerikane për të hapur bisedimet mbi të ardhmen e Kampit Bondsteel, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai paralajmëron një model të ri: dy vendet bashkëfinancojnë dhe mbajnë trupa së bashku.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të ulen së shpejti në tryezë për të diskutuar nëse Kampi Bondsteel mund të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane në Kosovë. Lajmin e dha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se pala amerikane ka kthyer përgjigje pozitive për nisjen e këtyre bisedimeve.
Maqedonci, i cili foli në Tëvë1, nuk i ngriti pritshmëritë më shumë se ç'duhet. Sipas tij, deri tani nuk është vendosur asgjë dhe bisedimet do të shërbejnë për të shqyrtuar mundësitë, ndërsa data e fillimit të tyre nuk u bë e ditur. "Detajet do të jepen pas fillimit të bisedimeve. Bisedimet do të fillojnë së shpejti dhe ne së bashku me palët amerikane, kemi marrë përgjigje pozitive për të diskutuar. Nuk është vendosur asgjë, por do të diskutohet", tha ai.
Ministri e lidhi hapjen e kësaj dere me një qasje të re të presidentit amerikan, Donald Trump: bashkëfinancimin e kampeve ushtarake me vendet aleate. Kosova, sipas Maqedoncit, ka shprehur gatishmëri për një bashkëpunim të tillë. Ai e përshkroi modelin kështu: "Dy vendet do të investojnë, do të mbajnë trupa, prezencë dhe do të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta duke ndarë përgjegjësitë. Është një politikë e re e presidentit Trump që kërkon nga shtetet që ka partneritet që të bashkëfinancojnë që të mundësojnë një kooperim afatgjatë mes dy vendeve".
Vetë gatishmërinë amerikane për të biseduar, Maqedonci e cilësoi si fitore për Kosovën. "Arritje e madhe për vendin tonë fakti që ShBA-të po diskutojnë për këtë çështje. Në dy vitet e fundit sa i përket prezencës bilaterale amerikane kemi prezencën më të madhe", deklaroi ai.
Ideja nuk është e re për Prishtinën zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka ngritur vazhdimisht kërkesën që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme amerikane, si gjatë vizitave në ShBA, ashtu edhe në takimin e fundit me senatorët amerikanë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

