Një ditë pas kontestimit të konstituimit të Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese edhe kërkesën e dytë: atë kundër votimit të Qeverisë së re. PDK paralajmëron se do të sfidojë çdo akt që del nga ky Kuvend.

Dy kërkesa në dy ditë. Partia Demokratike e Kosovës e ka zgjeruar betejën juridike kundër institucioneve të reja të vendit, duke dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e votimit të Qeverisë së re, të votuar më 13 shtator. Një ditë më parë, po në këtë gjykatë, PDK kishte dërguar çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e bënë të ditur para selisë së Gjykatës Kushtetuese dy deputetë të PDK-së, shefi i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, dhe Përparim Gruda, në një konferencë për media.
"Sot bashkë, bashkë përsëri me Përparimin, që ju kemi paralajmëruar edhe dje, jemi këtu te Gjykata Kushtetuese, ku e deponuam kërkesën tonë për me e trajtuar edhe po ashtu çështjen e votimit të Qeverisë", tha Tahiri.
Sipas vlerësimit të PDK-së, Kuvendi aktual është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet të plotë, prandaj, thotë partia, gjykata duhet të ndërhyjë. "Pra, ky Kuvend, i cili tashmë ka dilema dhe është i vlerësuar prej anës tonë që është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet të plotë, patjetër që duhet t'i vendoset masa dhe duhet të kthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese", deklaroi ai.
Më tej, Tahiri paralajmëroi një varg kontestimesh: "Sepse secili vendim që derivon nga ky Kuvend i pakonstituuar, ne do ta deponojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojmë ligjshmëri". Ai e përsëriti qëndrimin edhe në mbyllje: "Sot e bëmë për Qeverinë, e cila është votuar më datën 13, dhe po ashtu po paralajmëroj edhe njëherë se secilat vendime apo secilat akte juridike që dalin, ne do t'i sfidojmë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që vendi me u kthy në binarë kushtetues".
Argumenti themelor i partisë u formulua nga Gruda, i cili e lidhi drejtpërdrejt ligjshmërinë e Qeverisë me mënyrën se si u konstituua Kuvendi. "Sot kemi dorëzuar një kërkesë të dytë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kemi kontestuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, sepse, siç kemi deklaruar dje, ne konsiderojmë që Kuvendi është konstituuar duke shkelur Kushtetutën e Kosovës", tha ai.
"Një Kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese nuk mund të prodhojë institucione kushtetuese. Ne edhe më herët kemi bërë ftesë që të mos procedohet tutje me nxjerrjen e vendimeve të tjera, zgjedhjes së qeverisë apo çdo vendimi tjetër, përpara se të sqarohet çdo pikëpyetje që ekziston në lidhje me kushtetutshmërinë edhe me ligjshmërinë, përkatësisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës", deklaroi Gruda.
Deputeti i PDK-së u shpreh i bindur se lënda do të kalojë filtrin e pranueshmërisë dhe do të shqyrtohet në merita. "Argumentet tona janë, jemi të bindur profesionalisht, deri në fund kushtetuese, dhe do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese me rastin e vendosjes për këtë çështje në meritat e saj", tha ai, duke shtuar: "Sigurisht kjo është një lëndë e pranueshme për Gjykatën Kushtetuese për të trajtuar në merita, dhe ne respektojmë punën e pavarur të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbahemi nga çdo lloj komentimi mbi vendimmarrjen e saj ose natyrën e vendimit që do të nxjerrë".
Fjalinë e fundit Gruda ia la gjykatës: "Gjithçka do të mbetet në dorën e Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar të gjitha këto shkelje dhe për ta rikthyer, siç tha edhe shefi i grupit tonë parlamentar, kushtetutshmërinë dhe institucionet e Kosovës brenda Kushtetutës".
Me dy lëndët e dorëzuara brenda 24 orësh, njëra për konstituimin e Kuvendit dhe tjetra për votimin e Qeverisë Kurti IV, kontestimi i PDK-së prek zinxhirin e plotë të krijimit të institucioneve të reja. Deri më tani nuk ka reagim publik nga Gjykata Kushtetuese, nga Qeveria apo nga Kuvendi i Kosovës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

