Kosova ka nisur procedurat për blerjen e helikopterëve amerikanë Black Hawk dhe tani kërkon më shumë: rrugë drejt NATO-s, rol në Bondsteel dhe në Aeroportin e Gjakovës. Këto ishin temat e takimit të ministrit Ejup Maqedonci me ambasadorin amerikan në NATO, Matthew Whitaker, në Varshavë.

Helikopterët Black Hawk ishin ndër temat kryesore kur ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, u ul me Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, ambasadorin Matthew Whitaker, në margjina të Forumit të Sigurisë në Varshavë 2026.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, bisedimet u përqendruan në avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe në koordinimin për çështje me interes të përbashkët. Ministria thotë se bashkëpunimi me Uashingtonin po shtrihet edhe te prokurimet ushtarake dhe industria e mbrojtjes. Në takim u fol për sistemet që Kosova ka blerë tashmë nga SHBA-ja, për procedurat e nisura për blerjen e helikopterëve Black Hawk, si dhe për mbështetjen që i nevojitet zhvillimit të industrisë vendore të mbrojtjes.
Nga pala amerikane, Whitaker shprehu mbështetje për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në NATO dhe për vazhdimin e ndihmës amerikane në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, sipas ministrisë.
Maqedonci e ktheu bisedën te Aleanca. Ai ritheksoi nevojën që Kosova të mbështetet në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe që ushtarakët kosovarë të kenë qasje më të gjerë në programet dhe shkollat e saj. Në tryezë ishin edhe dy tema me peshë për sigurinë e vendit: prania dhe optimizimi i KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, si dhe normalizimi i hapësirës ajrore të Kosovës.
Ministri shprehu gjithashtu interesim për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit sipas parimit të ndarjes së përgjegjësive, duke përmendur në mënyrë të veçantë kampin Bondsteel dhe Aeroportin e Gjakovës.
Një tjetër pikë ishte kontributi i Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, të cilin Maqedonci e paraqiti, sipas njoftimit, "si dëshmi e gatishmërisë së vendit tonë për të marrë përgjegjësi dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".
Ministri falënderoi SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ai veçoi bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Iowa-s, që zgjat prej më shumë se 15 vjetësh në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror. "Ky partneritet po forcon kapacitetet tona përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në fund të takimit, Maqedonci e ftoi Whitakerin të vizitojë Kosovën, me qëllim vazhdimin e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit. "Partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës", përfundon Ministria e Mbrojtjes.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

