Gazetari Andrei Aliaksandrau doli nga burgu pasi kishte humbur 30 kilogramë dhe pa e parë prej katër vjetësh gruan e tij, të dënuar në të njëjtin proces. Ai është një nga 25 të burgosurit politikë që Minsku lëshoi të mërkurën, ndërsa Uashingtoni hoqi sanksionet për dy ndërmarrje bjelloruse.

Njëzet e pesë të burgosur politikë dolën të mërkurën nga qelitë bjelloruse dhe u dërguan në Vilnius. Në po të njëjtën ditë, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj dy kompanive bjelloruse. Lajmin e bëri të ditur i dërguari amerikan John Coale, pas vizitës së tij të fundit në Minsk.
Mes të liruarve ka aktivistë të të drejtave të njeriut, aktivistë politikë, gazetarë dhe juristë. Lirimi i tyre është kulmi i një sërë bisedimesh që zgjatën më shumë se një vit mes Coalit dhe presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.
Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin lituanez, ku u transportuan të liruarit, Coale tha se pret të kthehet për rreth një muaj, kur shpreson të shohë të lirohen "qindra". Në rrjetet sociale ai lavdëroi presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se "angazhimi për diplomaci të drejtpërdrejtë jep rezultate" dhe se administrata do të vazhdojë të "përmirësojë marrëdhëniet SHBA-Bjellorusi". Trump e kishte ngarkuar Coale me sigurimin e lirimit të qindra personave, ndërsa administrata Trump ka deklaruar se lirime të tjera do të sigurohen së shpejti në kuadër të marrëdhënieve të përmirësuara me Minskun.
Kompensimi ekonomik ishte i qartë. Vetëm një ditë para lirimeve, Coale i kishte premtuar Lukashenkos se bankat amerikane do të kthejnë dhjetëra miliona dollarë asete bjelloruse të ngrira. I dërguari amerikan kishte njoftuar edhe më herët se Uashingtoni do t'i hiqte sanksionet ndaj "Lakokraska", prodhuese e bojërave dhe veshjeve industriale, dhe ndaj "Bellesbumprom", ndërmarrje shtetërore që mbikëqyr sektorët e pyjeve, celulozës dhe letrës.
Brukseli e priti hapin me rezervë. Zëdhënësi kryesor i Bashkimit Evropian për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, Christian Wigand, tha se 25 të burgosurit u liruan si rezultat i përpjekjeve amerikane. "Ne e mirëpresim këtë hap", shkroi ai, duke shtuar: "800+ individë mbeten të ndaluar arbitrarisht në kushte të tmerrshme. Regjimi i Bjellorusisë duhet t'i lirojë të gjithë të burgosurit politikë, menjëherë dhe pa kushte."
Organizata bjelloruse për të drejtat e njeriut Viasna, të cilën qeveria e ndaloi pasi e shpalli organizatë ekstremiste, tha se shumë nga të liruarit e së mërkurës ishin dënuar me disa vjet burg. Mes tyre ajo përmendi gazetarin Andrei Aliaksandrau, i cili po vuante një dënim 14-vjeçar. Ai ishte arrestuar në vitin 2021 nën akuzën se kishte "financuar aktivitete protestuese", së bashku me të dashurën e tij Iryna Zlobina, e cila mori një dënim nëntëvjeçar.
Aliaksandrau i tha Viasnës se kishte humbur 30 kilogramë gjatë kohës në robëri "për atdheun", por se ishte "në humor të mirë". Ai shtoi se ishte "shumë i gëzuar që këto gati gjashtë vjet kanë marrë fund" dhe se nuk e kishte parë prej katër vjetësh Zlobinën, me të cilën ishte martuar në vitin 2022 brenda një qendre paraburgimi.
Krahas tij u liruan edhe tre gazetarë të tjerë, Dzmitry Navazhylau, Kiryl Pazniak dhe Liudmila Chekina, të cilët u dëbuan menjëherë drejt Lituanisë. Organizata Reporterët pa Kufij u shpreh "e kënaqur" për lirimin e tyre, por e dënoi dëbimin.
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në mërgim, Svetlana Cikhanouskaja, tha se ishte e lumtur për familjarët e 25 të liruarve, "të cilët kanë pritur këtë ditë", duke theksuar se qindra të tjerë mbeten pas hekurave. "Çdo lirim kërkon përpjekje të jashtëzakonshme dhe është e qartë se [Lukashenko] nuk dëshiron t'i lirojë të gjithë të burgosurit politikë", tha ajo. Bashkëshorti i saj, Siarhei Cikhanouski, u lirua vitin e kaluar pas pesë vjetësh burg.
Lukashenko, në krye të ish-republikës sovjetike që nga viti 1994, prej kohësh është izoluar nga Perëndimi për shtypjen e kundërshtarëve të tij dhe për mbështetjen e luftës ruse në Ukrainë. Në mars, qeveria e tij kishte liruar 250 të burgosur pas një falje.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

