Katër vepra penale, nga mashtrimi te lidhja e kontratës së dëmshme, i kanë kushtuar një biznesmeni kosovar 48 orë ndalim me urdhër të prokurorit. Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se hetimi synon ndriçimin e plotë të rrethanave.

Një biznesmen me inicialet V.Ll. e kalon këtë fundjavë pune në ndalim policor. Policia e Kosovës e arrestoi të mërkurën dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij u caktua masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për katër vepra penale me natyrë ekonomike.
Arrestimin e konfirmoi Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja e saj, Kaltrina Shala, renditi veprat për të cilat dyshohet biznesmeni: “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, nga neni 323, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, nga neni 318, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284, si dhe veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Rrethanat konkrete që çuan në arrestim nuk janë bërë publike. Sipas Shalës, puna e hetuesve vazhdon: “Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit”.
Hapi i radhës varet nga prokuroria. “Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, deklaroi zëdhënësja. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, i dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

