Në fshatin Bijeljani afër Bileçës, drejtuesi i një xhipi të kuq goditi qëllimisht disa persona gjatë garave me kuaj. Tre të plagosur, dy të arrestuar dhe dy të tjerë në arrati, ndër ta i dyshuari kryesor Zheljko Vujoviq.

Garat me kuaj në fshatin Bijeljani afër Bileçës, në Republikën Sërpska, përfunduan me panik rreth orës 19:00, kur drejtuesi i një xhipi të kuq, sipas policisë, goditi qëllimisht disa persona të pranishëm. Tre veta mbetën të plagosur. Ndjekja policore që nisi menjëherë pas ngjarjes përfundoi me përmbysjen e automjetit, ndërsa personi që e drejtonte u largua nga vendngjarja.
Gjendjen e të lënduarve e përshkroi Tanja Novarliq, shefe e Kujdesit Intensiv në Trebinjë: "Në njësinë e trajtimit intensiv është pranuar një burrë i ri (1994), i cili është i vetëdijshëm, nuk e ka humbur vetëdijen, i kujtohet ngjarja, ka lëndim në shpatullën e majtë dhe në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë. Dy pacientët e tjerë nuk janë pranuar në kujdes intensiv, bëhet fjalë për lëndime të lehta dhe janë vendosur në repart."
Policia e Bileçës ka arrestuar dy persona, të dyshuar se e ndihmuan autorin pas ngjarjes. "Zyrtarët policorë të SP Bileçë kanë privuar nga liria personin me iniciale G. Ç. nga Bileça dhe M. I. nga Nevesinja për shkak të ekzistimit të bazës së dyshimit se kanë kryer veprën penale 'Ndihmë kryesit pasi është kryer krimi' nga neni 333 i Kodit Penal të Republikës Sërpska, ndërsa është në vazhdim kërkimi intensiv për personin me iniciale Zh. V. nga Bileça për shkak të ekzistimit të bazës së dyshimit se ka kryer veprën penale 'Vrasje e rëndë' në tentativë dhe M. S., i cili ka ikur bashkë me personin Zh. V.", njoftoi policia.
I dyshuari kryesor është identifikuar si Zheljko Vujoviq nga Bileça, i akuzuar nga policia për tentativë vrasjeje të rëndë. Së bashku me të është në arrati edhe personi me iniciale M. S. Për ngjarjen është njoftuar Prokuroria Publike e Qarkut në Trebinjë. Arsyeja pse drejtuesi i xhipit u drejtua mbi njerëzit ende nuk është sqaruar.
Emri i Vujoviqit nuk është i panjohur për opinionin publik. Në shkurt të vitit 2021, një rast që nxiti protesta të qytetarëve në Bileçë dhe Trebinjë e vuri atë në qendër të vëmendjes: Vujoviqi, Marko Zvijer dhe një i mitur u dyshuan atëherë për privim të kundërligjshëm nga liria dhe shkaktim lëndimesh ndaj Dushan Millosheviqit nga Bileça, i cili ishte 23 vjeç në atë kohë. Sipas pretendimeve të asaj kohe, Millosheviqit iu pre rruga me veturë, ai u fut në bagazh dhe u dërgua jashtë qytetit, ku u rrah dhe u la afër Bileçës.
Edhe atëherë Vujoviqi u fsheh nga autoritetet. Ai iu dorëzua policisë më 17 shkurt 2021, pas 12 ditësh në arrati.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

