Në një natë të ngarkuar për policinë, dy shtetas egjiptianë përfunduan në pranga për një sulm me mjet prerës në Rrugën e Barrikadave, ndërsa në Vlorë një burrë rreth 50-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se u hodh nga ballkoni.

Policia e Shtetit ka bërë publik bilancin e veprimtarisë së saj gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, një pasqyrë që përfshin katër operacione të finalizuara, dhjetëra raste të goditura dhe disa ngjarje të rënda, mes tyre një sulm me thikë në Tiranë dhe një humbje jete në Vlorë.
Sipas policisë, katër operacionet u zhvilluan për goditjen e veprimtarive në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje dhe për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Krahas tyre u kapën edhe tre shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Ndër ngjarjet më të rënda është ajo në Rrugën e Barrikadave në Tiranë. Sipas policisë, u arrestuan shtetasit egjiptianë M. M., 31 vjeç, dhe A. A., 34 vjeç, të dyshuar se gjatë natës, për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës një 40-vjeçar. Viktima po merr mjekim në spital.
Në Vlorë, në lagjen "28 Nëntori", policia raporton se rreth orës 09:15 dyshohet se është hedhur nga ballkoni i banesës shtetasi A. A., rreth 50 vjeç, i cili humbi jetën në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave.
Në fushën e narkotikëve, përveç operacioneve, u goditën 14 raste, me tetë shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për gjashtë raste po vijon puna për identifikimin e autorëve. Për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" u proceduan dy shtetas me detyrë roje mjedisore, pasi në zonën që kishin në ruajtje u gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike. Si provë materiale u sekuestruan sasi të vogla kokaine dhe kanabisi, ndërsa bimët narkotike të kultivuara u asgjësuan.
Në krimet ndaj personit u evidentuan 10 raste me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndër to edhe rasti i sulmit në Rrugën e Barrikadave. Në krimet kundër pronës u identifikuan 18 raste, me dy shtetas të arrestuar dhe 11 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për gjashtë raste puna vazhdon për kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit u evidentuan 12 raste me po aq shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Në Durrës, dy shtetas u proceduan pasi u konstatuan në dy lokale duke gjeneruar muzikë me zhurmë mbi nivelin e lejuar gjatë mbrëmjes.
Për dhunën në familje u regjistruan pesë raste, me një shtetas të arrestuar dhe katër të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa u plotësuan tri kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Në krimet ekonomike u evidentuan tri raste, me dy shtetas të proceduar dhe dy të tjerë në kërkim, ndërsa në krimet kibernetike u regjistrua një rast për të cilin po punohet për identifikimin e autorit.
Në kontrollet mbi qarkullimin rrugor u arrestuan katër shtetas dhe u proceduan penalisht 10 të tjerë, që drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Dy shtetas të tjerë u arrestuan dhe gjashtë u proceduan për shkelje të dyshuara të rregullave të qarkullimit, ndërsa vazhdon kërkimi i një shtetasi që u largua nga vendi i aksidentit.
Në bulevardin "Bajram Curri" u arrestuan gjithashtu M. K., 27 vjeç, i dyshuar se një ditë më parë aksidentoi me automjetin që drejtonte 75-vjeçaren V. K., si dhe A. S., 34 vjeç, i dyshuar se aksidentoi me motomjetin që drejtonte 52-vjeçaren F. B. Të dyja gratë e dëmtuara po marrin mjekim në spital.
Një shtetas u arrestua dhe një tjetër u shpall në kërkim pasi kishin thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", ndërsa 20 shtetas u proceduan në gjendje të lirë për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare kapën dy shtetas në kërkim: E. B., i dënuar nga Gjykata e Tiranës me një vit burgim për "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën", dhe J. H., i dënuar me dy muaj burgim për "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor". Dy shtetas të tjerë u proceduan penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mosdeklarim të shumave monetare.
Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, Interpol Tirana bëri të mundur ekstradimin nga Spanja të shtetasit K. K., i dënuar nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm me një vit burgim për "Dhuna në familje". Nga Zvicra u deportua G. Ll., i dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim për mashtrim dhe me dy vjet burgim për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, ndërsa nga Italia u deportua A. K., i dënuar me dy vjet burgim për vjedhje.
Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve: "Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit."
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

