Dhjetë vatra zjarri mbahen aktive rreth Tiranës dhe në disa qytete të vendit. Në zonën e Daiasit flakët janë afruar shtëpive, ndërsa mbi 500 forca operacionale luftojnë tokë e ajër për t'i vënë nën kontroll.

Flakët nuk kanë rënë ende. Në zonën e Daiasit, në rrethinat e Tiranës, një zjarr i përmasave të mëdha vijon të djegë kodrat përreth dhe u është afruar banesave, duke detyruar autoritetet të vendosin nën monitorim çdo shtëpi pranë vatrës.
Në operacionin për të frenuar përhapjen e flakëve janë angazhuar repartet zjarrfikëse të Tiranës, Kamzës dhe Elbasanit. Në terren ndodhen edhe forca të Policisë së Shtetit, për koordinimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë orëve të fundit mbeten aktive gjithsej 10 vatra zjarri në disa pika të vendit. Për shuarjen e tyre janë vënë në lëvizje 531 forca operacionale dhe 29 mjete: 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake, të ADZM-së dhe të shërbimit pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile. Nga ajri operojnë 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
Fronti më i gjerë shtrihet përtej kryeqytetit. Në Dajt puna po vijon me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe janë angazhuar 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për vendbanimet.
Në Drenie të bashkisë Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake. Në Krujë angazhimi po zhvillohet në disa vatra njëherësh, ndërsa në Abaze operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë, pa rrezik për zonat e banuara.
Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për një vatër tjetër në terren të vështirë është angazhuar një helikopter i Forcave të Armatosura, me 3 automjete zjarrfikëse të pozicionuara pranë banesave. Në Krastë–Halil puna vijon pa rrezik aktual për vendbanimet.
Agjencia AKMC po ndjek situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile, duke vlerësuar në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcime tokësore e ajrore. Angazhimi do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

