Ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, Christopher Hill, thotë se qëndron pas dëshmisë së tij në Hagë dhe se përgjigjen për përfundimet e gjykatës duhet ta japë vetë gjykata. Nëse do të dëshmojë sërish në apel, thotë se askush nuk ia ka kërkuar ende.

Dëshmitari i mbrojtjes që erdhi nga radhët e diplomacisë amerikane nuk tërhiqet nga asnjë fjalë e thënë në sallën e gjyqit në Hagë. Christopher Hill, ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën dhe dëshmitar në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, deklaroi se vazhdon të besojë se Hashim Thaçi, ish-kreu i UÇK-së, nuk ka qenë i përfshirë në situatat që i përshkroi gjykata në vendimin e saj.
Duke folur nga Shtetet e Bashkuara në një intervistë për emisionin "Now", Hill u pyet nëse do të ishte i gatshëm të paraqitej sërish si dëshmitar në apel, në mbrojtje të Thaçit dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Përgjigjja e tij ishte se një kërkesë e tillë ende nuk i është bërë.
"Unë do të përpiqesha të bëja gjithmonë vullnetin e gjykatës, por nuk jam në gjendje të përgjigjem për një gjë që s'më është kërkuar akoma", tha Hill.
Pyetjen pse gjyqtarët arritën në përfundime të kundërta me atë që ai dëshmoi, Hill ia ktheu vetë gjykatës. "Duhet pyetur gjykata pse arriti në këto përfundime. Unë me sinqeritet dhashë dëshminë time dhe besoj sinqerisht që zoti Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në situatat e përshkruara nga gjykata. Ata dolën në një përfundim tjetër dhe duhen pyetur ata pse dolën në këtë përfundim. Unë dhashë dëshminë time me të mirën time, duke rikujtuar situatën e asaj kohe", deklaroi ai.
I pyetur nëse tani, pasi vendimi është bërë publik, do të shtonte apo do të ndryshonte diçka nga ajo që tha gjatë procesit, ish-diplomati u përgjigj se jo dhe vuri një vijë ndarëse mes logjikës gjyqësore dhe asaj diplomatike.
"Nuk e mendoj, sepse jam përpjekur të tregoj të vërtetën e plotë, siç mendoj unë, dhe shpjegimin e plotë. Gjykatat kanë proces të ndryshëm nga procesi diplomatik, mendësia është ndryshe. Nuk jam në gjendje të gjykoj gjykatën, por jam i mendimit se avokatët duhet të vendosin për hapat e radhës dhe besoj se Ballkani mund të ketë të ardhme më të mirë sesa e ka pasur", tha Hill.
Hapat e mëtejshëm, sipas tij, u takojnë avokatëve. Reagimi i tij vjen pasi vendimi i gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është bërë publik.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

