Zyrtari serb Petar Petkoviq i ka dërguar një letër emisarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, duke shprehur "shqetësimin e madh" të Beogradit ndaj mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër.

Beogradi po kërkon të frenojë hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. Zyrtari serb Petar Petkoviq i ka dërguar një letër Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, në të cilën shpreh atë që e quan "shqetësim të madh" të palës serbe ndaj sinjaleve të fundit të Brukselit për një hapje të mundshme.
Petkoviqi thotë se Beogradi e ka pritur me shqetësim deklaratën e fundit të një zëdhënësi të BE-së lidhur me mundësinë e hapjes së urës. Sipas tij, ky vlerësim është veçanërisht problematik pasi nuk pasqyron situatën reale në terren dhe as faktin se, sipas këndvështrimit të tij, parakushtet kryesore të dakorduara më herët në kuadër të dialogut ende nuk janë përmbushur.
Petkoviqi i referohet Marrëveshjes për Urën të 25 gushtit 2015, duke argumentuar se çështjet e lëvizjes së lirë, të punimeve infrastrukturore dhe të hapjes së urës ishin shqyrtuar së bashku me çështjet e sigurisë, të cilat, sipas tij, kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët serbë në zonën përreth urës, në Suhadoll dhe në zona të tjera të ndjeshme.
"Ndërkohë, situata aktuale e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, tregon se hapja e urës në këtë moment nuk do të ishte e sigurt dhe do ta rriste më tej ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët serbë", ka theksuar Petkoviqi në letrën e drejtuar Sorensenit.
Ai kërkon nga BE-ja, në rolin e ndërmjetësuesit të dialogut dhe garantuesit të zbatimit të marrëveshjeve, të ruajë një qasje neutrale. Sipas tij, vendimi për hapjen e urës mund të merret vetëm pas përmbushjes së plotë të obligimeve të mëparshme dhe pas një vlerësimi të besueshëm sigurie.
"Vendimi për hapjen e urës mund të merret vetëm pasi të jenë zbatuar plotësisht obligimet e marra më herët në kuadër të Dialogut dhe të jetë bërë një vlerësim i besueshëm dhe i qëndrueshëm i sigurisë, i cili garanton se një hap i tillë nuk do ta rrezikojë sigurinë e qytetarëve serbë, nuk do t'i rrisë tensionet ekzistuese apo të shkaktojë një krizë të re në veri të Kosovës", i ka thënë Petkoviqi Sorensenit.
Nga ana e vet, Bashkimi Evropian ka reaguar duke nënvizuar se çdo vendim lidhur me urën mbi Ibër duhet të marrë parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
"Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe është udhëhequr nga nevoja për të siguruar që ajo t'u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe komunave që lidh dhe të kontribuojë në bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes tyre. Pas transferimit të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve lokale, duhet të përmirësohet koordinimi efektiv dhe konsultimet kuptimplota ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve në nivel qendror", ka thënë një zëdhënës i BE-së.
Ura kryesore mbi Ibër, që ndan pjesën veriore nga ajo jugore e Mitrovicës, mbetet ndër pikat më të ndjeshme të raportit mes Prishtinës dhe Beogradit dhe subjekt i vazhdueshëm i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

