Pas dorëheqjes së parevokueshme të Bedri Hamzës, PDK ia beson drejtimin e përkohshëm Vlora Çitakut deri në zgjedhjet e brendshme. Pak orë para largimit, Hamza raportohet të jetë takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Vlora Çitaku është tani në krye të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Organet drejtuese të partisë e kanë caktuar ushtruese të detyrës së kryetares, pas dorëheqjes së parevokueshme të Bedri Hamzës nga posti i kryetarit.
Vendimi u bë publik përmes një njoftimi të Zyrës për Informim të PDK-së, i cili shpjegon edhe hapat e ardhshëm: "Pas dorëheqjes së parevokueshme të z. Bedri Hamza nga pozita e kryetarit të PDK-së, organet drejtuese të partisë kanë caktuar znj. Vlora Çitaku si ushtruese të detyrës së kryetares. Gjatë kësaj periudhe do të organizohen dhe mbahen zgjedhjet e brendshme të partisë në të gjitha nivelet."
Roli i Çitakut është kalimtar. Ajo do ta mbajë detyrën deri në përfundimin e procesit të brendshëm zgjedhor, nga i cili pritet të dalë udhëheqja e re e partisë. PDK nuk ka bërë të ditur ende kur do të mbahen këto zgjedhje.
Hamza e njoftoi sot Kryesinë e PDK-së për largimin nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar vendimin si të parevokueshëm.
Dita e dorëheqjes nisi, sipas burimeve të paidentifikuara të portalit Indeksonline, me një takim mes Hamzës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pak orë para se kreu i PDK-së të njoftonte largimin. Takimi nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas të njëjtave burime, Kurti e ka siguruar Hamzën se, nëse do të ketë ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Lëvizja Vetëvendosje do të votojë në favor të ligjit, përfshirë edhe ndryshimet që mund të propozohen gjatë procesit.
Ligji për Dhomat e Specializuara ndodhet aktualisht në Presidencën e Kosovës, ku pritet të dekretohet nga presidentja.
Pas zgjedhjes së presidentes, diplomatët e Bashkimit Evropian dhe ambasadori britanik u ulën sot me kryeministrin Albin Kurti. Mesazhi i tyre: mbështetje e rikonfirmuar për rrugën evropiane të Kosovës.

