Një objekt gjashtëkatësh, i ndaluar një herë me kërkesë të Prokurorisë, po ngrihet sërish në rrugën "Qemal Sejfulla" të Shkupit, thotë BDI-ja, ndërsa Komuna e Çairit dhe Bashkia e qytetit nuk japin asnjë sqarim.

Punimet për një objekt që një herë u trajtua si ndërtim pa leje në tokë shtetërore kanë rifilluar në rrugën "Qemal Sejfulla" në Shkup, denoncon partia BDI. Sipas saj, banorët përreth po përballen sërish me një ndërtesë që ua mbyll dritaret dhe ballkonet, ndërsa institucionet komunale nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
BDI-ja kujton se rasti u ngrit publikisht vitin e kaluar. "Në maj të vitit 2025, ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, doli në vendngjarje dhe tregoi publikisht se objekti po ndërtohej pa projekt dhe pa leje ndërtimi, vetëm një metër larg ndërtesës ekzistuese dhe përpara dritareve e ballkoneve të banorëve", thuhet në denoncimin e partisë.
Sipas BDI-së, ai denoncim çoi në një hap konkret institucional. "Pas denoncimit publik, Prokuroria hapi procedurë hetimore ndaj investitorit. Sipas njoftimit të atëhershëm të Prokurorisë, bëhej fjalë për objekt banesor dhe afarist me gjashtë kate, të nisur pa leje në tokë shtetërore. U kërkua edhe ndalimi i punimeve", thotë partia.
Ajo që shqetëson tani, sipas BDI-së, është se pikërisht ky objekt po ndërtohet përsëri, pa asnjë shpjegim nga autoritetet. Nga Komuna e Çairit, thekson partia, nuk ka as sqarim, as procesverbal inspektimi, as vendim publik për ndalimin e punimeve.
BDI-ja i drejton kërkesa të drejtpërdrejta komunës. "Kërkojmë nga Komuna e Çairit që menjëherë të dërgojë inspektorët në terren dhe të publikojë: mbi çfarë dokumentacioni kanë rifilluar punimet; a ekziston leje e vlefshme për ndërtim; çfarë ka ndërmarrë inspektorati komunal; a është ende në fuqi ndalimi i punimeve i kërkuar në kuadër të procedurës hetimore", thuhet në reagim.
Partia kërkon shpjegime edhe nga organi i akuzës. "Kërkojmë gjithashtu nga Prokuroria të njoftojë publikun se deri ku ka arritur hetimi dhe si është lejuar rifillimi i punimeve në objektin që vetë ajo e trajtoi si ndërtim pa leje në tokë shtetërore", thotë BDI.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

