Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar qeverinë se ka humbur legjitimitetin dhe se po dobëson përfaqësimin e shqiptarëve.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia që drejtohet nga Ali Ahmeti, ka dalë hapur në kërkesë për zgjedhje të reja parlamentare në Maqedoninë e Veriut, duke kapur fjalët e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe duke kërkuar që ato të kthehen menjëherë në veprim.
BDI-ja ka përshëndetur gatishmërinë e shprehur nga Mickoski për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, nëse një gjë të tillë e kërkon opozita. Për BDI-në, që sot renditet në opozitë, ky kusht tashmë është plotësuar.
Partia argumenton se qeveria aktuale nuk ka më bazën për të vazhduar. "Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione", thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë, deklarata e kryeministrit nuk mjafton pa hapa konkretë. BDI-ja kërkon përcaktimin e afatit më të shpejtë kushtetues për zgjedhjet dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve zgjedhore, përfshirë shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës.
Reagimi mbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë: "BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje."
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

