Fotografi të dërguara nga ushtarakë amerikanë në detyrë tregojnë ndërtesa të shkrumbuara dhe një avion zbulimi E-3 Sentry me bishtin e shkëputur në Arabinë Saudite, ndërsa inspektori i përgjithshëm i Pentagonit i raporton Kongresit humbje pajisjesh deri në 3.7 miliardë dollarë.

Bishti i shkëputur nga trupi i nxirë i një avioni Boeing E-3 Sentry, në bazën ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite. Kjo është një nga pamjet që dokumentojnë për herë të parë shkallën e shkatërrimit në pozicione amerikane në Lindjen e Mesme, pas sulmeve iraniane me raketa dhe dronë.
Fotografitë u dërguan nga ushtarakë amerikanë në detyrë, me kusht që identiteti i tyre të mbetej anonim, për shkak të kufizimeve të rrepta mediatike brenda ushtrisë. Ato tregojnë dëme të përhapura në ndërtesa dhe automjete në disa pozicione të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Goditja në avionin katërmotorësh E-3 Sentry i ka shkaktuar dëm pikërisht pjesës së pasme, aty ku mbahet edhe radari rrotullues që konsiderohet thelbësor për mbledhjen e informacioneve në ajër. Foto të tjera nga e njëjta bazë tregojnë ndërtesa dhe kazerma të zbrazura nga brenda, që qëndrojnë pranë strukturave prej betoni të njohura si "T-wall", të mbetura të paprekura. Këto fortifikime janë konsideruar dikur kritike kundër sulmeve me granata dhe mortaja, por u treguan krejtësisht joefikase përballë një sulmi nga ajri.
Pamje po aq të rënda janë regjistruar edhe në Camp Buehring në Kuvajt, një pikë e madhe grumbullimi për trupat tokësore të Ushtrisë amerikane, automjetet e blinduara dhe një pjesë të avionëve. Baza ndodhet në një zonë të largët shkretinore, në veriperëndim të largët të qytetit të Kuvajtit. Nuk dihet ende se kur saktësisht ndodhën sulmet e fotografuara.
"Ky është dëm i madh në bazat tona, që nuk i është komunikuar publikut amerikan", tha një ushtarak i dislokuar. "Ne po qëndrojmë atje me sytë mbyllur, duke marrë grushte në fytyrë."
Këtë javë, inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes publikoi një raport të ri për luftën në Iran, i cili zbuloi "humbje pajisjesh" me vlerë deri në 3.7 miliardë dollarë, përfshirë rreth 60 avionë. Në këtë raport të detyrueshëm drejtuar Kongresit, të parin e këtij lloji, inspektori i përgjithshëm shtoi se Komanda Qendrore e SHBA-së ka raportuar goditje iraniane në baza amerikane në Kuvajt, Bahrejn, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani, pra në tetë vende.
Pentagoni nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ushtaraku i dislokuar i referohet edhe gjuhës së përdorur nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pas sulmit vdekjeprurës të 1 marsit në Portin e Shuaibas në Kuvajt, ku u vranë gjashtë ushtarë amerikanë. "Këta nuk janë 'squirters' që po kalojnë", tha ai, duke shtuar: "Ne nuk po i mbrojmë këto baza. Ne thjesht po i shikojmë ato duke u shkatërruar."
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

