Ushtarë, pajisje dhe automjete të një batalioni britanik të Forcës Rezervë Strategjike janë vendosur në Kosovë për gjashtë javë stërvitje. KFOR-i thotë se ardhja e tyre nuk ndryshon asgjë në mandatin e misionit.

Personeli, pajisjet dhe automjetet e Batalionit të Parë të regjimentit britanik “The Rifles” kanë arritur në Kosovë. Trupat do të qëndrojnë në vend për rreth gjashtë javë, në kuadër të asaj që KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, e cilëson si dislokim rutinë dhe të planifikuar më herët të Forcës Rezervë Strategjike.
Sipas zëdhënësit të KFOR-it, batalioni bën pjesë në këtë forcë rezervë dhe gjatë qëndrimit do të angazhohet kryesisht në stërvitje. “Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, ata do të zhvillojnë disa aktivitete stërvitore, si pjesë e kontributit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, thuhet në njoftimin e misionit.
KFOR-i ka nxituar të sqarojë edhe atë që ky dislokim nuk është. Sipas misionit, ardhja e batalionit britanik nuk përbën ndryshim të mandatit të KFOR-it dhe nuk ka lidhje me procesin e nisur për përshtatjen e pranisë së forcave të tij në Kosovë. Misioni e përshkruan vendosjen si pjesë të angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar, pa ndikim në natyrën e pranisë së NATO-s në vend.
Në të njëjtin njoftim, KFOR-i ka rikonfirmuar rolin e tij në terren. “Ne vazhdojmë të kontribuojmë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes”, thuhet aty. Misioni ka theksuar se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, të cilët vazhdojnë të veprojnë sipas roleve dhe përgjegjësive të tyre në fushën e sigurisë.
KFOR-i është i pranishëm në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, ndërsa mandati i tij mbështetet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

