Një informacion i mbledhur nga rrugët operative e çoi policinë në mëngjes te shtëpia e një të dyshuari në fshatin Senik. Prej aty u nxorën dy armë gjahu, një pistoletë, një pushkë ajrore, një pjesë e armës së zjarrit, një thikë dhe tetë fishekë.

Ora 09:10, fshati Senik i Komunës së Malishevës. Policia trokiti në vendbanimin e një të dyshuari mashkull, shtetas i Kosovës, dhe pas kontrollit nxori nga banesa një arsenal të vogël: dy armë gjahu, një armë pneumatike (pushkë ajrore), një pistoletë, një pjesë e armës së zjarrit, një thikë dhe tetë copë fishekë. Të gjitha u sekuestruan.
Sipas njoftimit policor, Stacioni Policor në Malishevë kishte pranuar përmes rrugëve operative informata për posedim të paautorizuar të armëve nga i dyshuari, banues në Senik. Kontrolli u krye në bashkëpunim dhe konsultim me Prokurorin e Shtetit.
Pas gjetjeve, çështja ka kaluar në duart e prokurorisë. "Lidhur me të gjeturat është njoftuar prokurori kompetent, në konsultim me të cilin është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitë përkatëse policore në procedurë të rregullt", thuhet në njoftim.
Nuk është bërë e ditur nëse i dyshuari është arrestuar. Identiteti dhe mosha e tij nuk janë publikuar, dhe ndaj tij nuk ka aktakuzë: hetimet vijojnë në procedurë të rregullt nga njësitë përkatëse policore.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

