Vlerësimi pozitiv i NATO-s dhe KFOR-it për sigurinë në Kosovë, sipas analistit Avni Islami, dëshmon dështimin e politikës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Kalimi gradual i përgjegjësive të sigurisë nga KFOR-i te Policia e Kosovës, përfshirë edhe pika të ndjeshme si Manastiri i Deçanit dhe Ura e Ibrit, po ndryshon realitetin në terren dhe po e zbeh atë që analisti i sigurisë Avni Islami e cilëson si "mit të Beogradit zyrtar".
Në një postim në Facebook, Islami reagoi ndaj vlerësimit pozitiv të gjendjes së sigurisë në Kosovë nga NATO-ja dhe KFOR-i, duke e quajtur këtë zhvillim një goditje për politikat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, ky vlerësim, i shoqëruar me rritjen e besimit ndaj institucioneve vendase, dëshmon një përparim të rëndësishëm në konsolidimin e sigurisë në vend.
Islami vlerëson se vendimi i KFOR-it për t'ia bartur gradualisht përgjegjësitë Policisë së Kosovës, përfshirë lokacione të ndjeshme, tregon përgatitjen dhe profesionalizmin e institucioneve vendase të sigurisë. "Ky plan tranzicioni po zëvendëson trupat ndërkombëtare me policinë vendase, duke garantuar siguri të barabartë për të gjithë", shkroi ai.
Reagimet e Beogradit ndaj këtyre zhvillimeve, sipas analistit, janë shoqëruar me retorikë agresive dhe kërcënuese, të cilat dëshmojnë dështimin e strategjisë së Serbisë. Ai thekson se procesi i kalimit të përgjegjësive te institucionet vendase po e ndryshon ngadalë, por vazhdimisht situatën e sigurisë në Kosovë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

