Seanca ndaj gjashtë të akuzuarve për barrikadat e dhjetorit 2022 në veri të Kosovës dështoi sërish, këtë herë sepse dy avokatë mbrojtës nuk u paraqitën. Gjykata u shqiptoi nga 500 euro gjobë, ndërsa njëri nga të akuzuarit reagoi i nervozuar në sallë.

Salla e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë u zbraz pa u dëgjuar asnjë provë. Seanca ndaj të akuzuarve për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës dështoi të mbahet, pasi dy avokatë mbrojtës, Millosh Nikoliq dhe Bogdan Llaziq, nuk u paraqitën. Gjyqtari Rrahman Beqiri u shqiptoi secilit nga 500 euro gjobë.
Mungesa e mbrojtësit të tij nxiti reagimin e të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, i cili u shfaq i nervozuar në sallën e gjykimit. Ende nuk dihet nëse mosparaqitja e dy avokatëve ka të bëjë me situatën e tensionuar në vend apo me arsye të tjera, pasi deri tani nuk është bërë publik asnjë informacion që do të konfirmonte një lidhje të tillë.
Aktakuza, që i ngarkon të akuzuarit me vepra penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, është ngritur ndaj Dushan Maksimoviqit, Millosh Radosavleviqit, Nemanja Joloviqit, Dushan Dobracit, Sërgjan Vuçiniqit dhe Nenad Orloviqit.
Sipas Prokurorisë Speciale, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022 ata vepruan në bashkëkryerje, duke bllokuar rrugët kryesore në komunat veriore me kamionë të ngarkuar me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera. Prokuroria pretendon se, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, grupi pengoi institucionet e Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe se pjesëtarët e tij ishin të gatshëm t'i sulmonin zyrtarët policorë nëse do të ndërhynin për largimin e barrikadave.
Në aktakuzë pretendohet gjithashtu se grupi udhëhiqej nga Millan Radoiçiq dhe se ishin planifikuar strategjia e bllokimit, koordinimi, logjistika, monitorimi i Policisë së Kosovës dhe vendosja e personave në pika strategjike. Përmendet edhe hapja e gropave dhe e pozicioneve të përshkruara si ushtarake në pjesë të ndryshme të veriut. Hetimet ndaj Radoiçiqit dhe dhjetë personave të tjerë janë pezulluar, pasi ata konsiderohen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Nuk është hera e parë që ky proces bllokohet. Seanca e 20 korrikut kishte dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe njërit prej avokatëve, ndërsa gjykata kishte përsëritur urdhërarrestin ndaj Orloviqit, të cilin policia nuk e kishte gjetur në vendbanimin e tij. Më 31 gusht, procedura ishte veçuar ndaj Millosh Radosavleviqit dhe Dushan Dobracit, pasi të dy kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Të gjithë personat e përmendur prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të mos provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

